
Beqaj, është njeriu kryesor dhe “strumbullari” i kësaj afere korruptive që i hapi rrugën lejimit të procedurave të tjera koncesionare në Shëndetësi, si në shërbimin e Hemodializës, shërbimin e laboratorëve dhe shërbimin e analizave të “Check-Upit”...
Janë 3 dokumente “bombë”, ku Ilir Beqaj në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, ka firmosur gjatë vitit 2015, kohë kur zhvillohej procedura koncesionare për sterilizimin e pajisjeve kirugjikale.
Dokumentet ngrenë dyshime të arsyeshme mbi përgjegjësinë penale të “Shpërdorimit të detyrës” nga ana e ish-ministri Beqaj, për të cilin SPAK ka ndarë hetimet dhe kryen verifikime më të gjera.
Tre dokumentet në ditët në vijim mund të sjellin ngritjen e akuzës zyrtare për ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili 3-muaj më parë u paraqit në SPAK dhe dëshmoi për gati 9 orë.
“Ora News” ka siguruar dokumentacionin e administruar në dosjen e SPAK, ku qartazi dhe dukshëm, Ilir Beqaj ka firmosur tre dokumentet kryesorë të koncesionit 10-vjeçar të sterilizimit, biznes ky që i është dhuruar pikërisht mikut të ministrit Beqaj, shtetasit Ilir Rrapaj.

Beqaj, është njeriu kryesor dhe “strumbullari” i kësaj afere korruptive që i hapi rrugën lejimit të procedurave të tjera koncesionare në Shëndetësi, si në shërbimin e Hemodializës, shërbimin e laboratorëve dhe shërbimin e analizave të “Check-Upit”.
Njeriu kryesor dhe që ka mashtruar përmes faturave fiktive, vlonjati Ilir Rrapaj, që prej ditës së djeshme është arrestuar nga SPAK së bashku zv/ministrin, Klodian Rrjepaj dhe 6 zyrtarë të tjerë të Shëndetësisë, që kanë shërbyer si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Dokumenti i parë që implikon dhe bën protagonist kryesor Ilir Beqajn në koncesionin e sterilizimit është pikërisht dokumenti që ministri ka firmosur për hapjen e procedurës së koncesionit 10-vjeçar.

Në cilësinë e titullarit, Beqaj ka hapur procedurën dhe njëherësh përmes një urdhëri të brendshëm, ka formuar grupin e njerëzve me në krye Klodian Rrjepajn, për formimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Procedura e koncesionit 10-vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur më 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.
Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat kishte për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.
Sipas dokumenteve, më datë 4 Maj 2015, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurën e prokurimit për koncesionin dhe më datë 26 Maj, Autoriteti Kontraktues ka publikuar renditjen e operatorëve ekonomikë.
Sipas këtij dokumenti këtu, renditja e operatorëve konkurrues dhe pikëzimi i tyre është firmosur nga titullari i Institucionit Kontraktues, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, që monitorohej nga Beqaj ka shpallur konsorciumin e përbërë nga "Investital Llc", "Servizi Italia" S.p.a, "U.Jet S.r.l" dhe "Tecnosanimed", të parët me 73.89 pikë dhe në vendin e dytë konsorciumin e përbërë nga “Action Laundry,” S.S.I”, “Mario Gugliermo” dhe “Brema Ambiente” me 42.83 pikë.
Më 8 qershor 2015, bashkimi i operatorëve i udhëhequr nga kompania e “Action Laundry” e renditur e dyta paraqiti një ankesë në KPP, duke kundërshtuar renditjen e operatorëve në procedurën e koncesionit si dhe kualifikimin e konsorciumit tjetër, të përfaqësuar nga “Servizi Italia" S.p.a.
Më datë 22 qershor 2015, KPP-ja pranon pjesërisht ankesën e “Action Laundry” dhe i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të rivlerësojë ofertat, pasi vëren se mbledhja e pikëve në vlerësimin e parë ka gabime matematikore.

Pas këtij vendimi detyrues, procedura e mbledhjes së pikëve është mbajtur më datë 28 shtator 2015, dhe pikërisht në atë ditë është shpallur fituesi, ku sërish ka qenë bashkimi i operatorëve “Servizi Italia”. Por çuditërish, këtë herë kjo kompani ka marrë më shumë pikë se në vlerësimin e parë.
Nga 73.98 pikë që kishte në vlerësimin e parë, tani ishte vlerësuar me 91.03 pikë. Pra me një diferencë prej 22 pikësh më tepër.
Në anën tjetër, bashkimi i operatorëve që përfaqësohej nga “Action Laundry” ka marrë 45 pikë, nga 42.83 që kishte marrë në rivlerësimin e parë.
Pas shpalljes së vendimit të KPP-së më datë 10 korrik, kompanitë "Investital Llc", "Servizi Italia" S.p.a, "U.Jet S.r.l" dhe "Tecnosanimed", kanë regjistruar një kompani të re për të operuar me koncesionin, të quajtur “Sani Service” Sh.p.k.
Edhe pse me shumë pak eksperiencë se partnerët e tjerë italianë, kompania e Rrapajt, Investital Llc merr 40 % të aksioneve të kompanisë së re "Sani Service" Sh.p.k, "Servizi Italia" S.p.a 30 %, "Tecnosanimed" 15 % dhe "U.Jet S.r.l" 15 %.
Investimi i Rrapajt nëpërmjet “Investital Llc” për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh, ishte vetëm 8 mijë euro.
Pas shpalljes fitues të grupit të kompanive të udhëhequr nga Ilir Rrapaj, dhe themelimit të kompanisë koncesionare “Sani Service”, është sërish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj që ka firmosur kontratën koncesionare 10-vjeçare.
Ilir Beqaj ka firmosur për llogari të Autoritetit Kontraktual Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa për kompaninë koncesionare ka firmosur, administratori i “Sani Service”, Admir Daca. /Ora News
Lini një Përgjigje