Rrjetet sociale dhe mediat shqiptare kanë “zier” këto ditë me një lajm që ka qarkulluar lidhur me shëndetin e kryebashkiakut të Gjirokastrës.
Një aktivist vendas, i identifikuar tashmë si Emin Kokalari, ngriti dyshime se kryebashkiaku Flamur Golemi ishte infektuar me HIV/AIDS dhe më pas lajmi mori dhenë.
Personazhe të tjerë nisën të deklarojnë se janë infektuar dhe disa punonjës të tjerë. Dje Bashkia e Gjirokastrës e mohoi si lajm dhe publikoi analizat e kryebashkiakut që tregonin se ai ishte negativ.
Sot ka qenë po bashkia që ka bërë një padi ndaj Emin Koklarit, duke e akuzuar për përhapje të lajmeve të rreme. Policia është vënë menjëherë në lëvizje dhe ka vënë nën hetim qytetarin në fjalë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 33 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua celulari i 33-vjeçarit. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, shprehet policia.
Vetë aktivisti në rrjetet sociale ka mohuar që të ketë akuzuar dikë me emër. Megjithatë deklarata e tij dëshmoi dhe një herë që në Shqipëri, “qimja bëhet tra”.
Lini një Përgjigje