
Dalin të tjera detaje nga raporti i KLSH, i cili dha alarmin mbi atë që ndodh te Spitali Onkologjik në QSUT. Pak ditë më parë KLSH mbylli një audit, ku doli se mungojnë aparaturat, ilaçet dhe pacientët lihen në mëshirë të fatit. Por këto nuk janë të vetmet probleme.
KLSH ka zbuluar se dhe vetë godina është rrezik për pacientët. Alarmant është fakti se kati nëntokësor, i cili është totalisht jofunksional, është i papastër duke paraqitur risk për burim infeksioni tek pacientët.
Në raport thuhet se kati nëntokë me sipërfaqe prej 490,9 m 2 është i papërdorshëm dhe është kthyer në një ambient ku mbizotëron lagështia, është i papastër, rezultojnë pajisje mjekësore të papërdorshme, rafte, tavolina, ku pamjet flasin për një situatë kaotike, çka përbën një risk potencial për infektimin e ambienteve më sipër, nga ekzistenca e brejtësve dhe mikrobeve të ndryshme që mund të jenë në katin nëntokë.
Po ashtu, problem janë vërejtur në katin e 3 të godinës, në njësinë e radioterapisë, ku në disa nga dhomat e pacientëve ka lagështirë.
Në ditët e nxehta të verës pacientët përballen edhe me vapën e madhe në mjediset e brendshme, për shkak të problemeve teknike në sistemin ‘chiller’.
Sipas KLSH mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve.
Për këtë arsye është kërkuar dezinfektim i menjëhershëm në katin nëntokë dhe të merren masa në kate me lagështirë.
Lini një Përgjigje