
Tensionohet protesta para Bashkisë së Tiranës. Qytetarët kanë çarë kordonin metalik duke tentuar të futen te ambiente e godinës. Kjo ka sjellë përplasje me policinë.
Fillimisht Klevis Balliu ka tentuar që të thyejë kordonin e policisë dhe të kalojë mbi kokat e efektivëve të policisë që janë vendosur para bashkisë së Tiranës. Ndërsa në krah i qëndron Tedi Blushi, ai tenton që të çajë kordonin dhe të futet në ambientet e brendshme.

Më pas turma u nis drjt godinës duke hequr rrethimin metalik. Më pas ndërhynë forcat speciale duke hedhur gaz-lotsjellës. Policia tentoi të shpërndatë turmën, por më pas efektivët u tërhoqën.

Po ashtu është bërë shoqërimi i disa personave. Në protestë u pa edhe Gazmet Bardhi, i cili akuzoi policët se po dhunojnë qytetarët. Ai i kërkoi drejtorit të policisë që të tërheqë forcat.
Më pas pati thirrje nga organizatorët e protestës që të shmangen përplasjet me policët.

Teksa protestohej, online u mbajt mbledhja e Këshillit Bashkiak, në të cilën u miratuan disa vendime të rëndësishme për qytetarët, si ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë, apo bonuset e qirasë dhe dëmshpërblimet për ata që kanë pësuar aksidente me zjarret në shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, anëtarët socialistë miratuan me shumicë votash dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për kryetarin e BDI, Ali Ahmeti, partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si dhe emërtimi i një rruge në Tiranë me emrin e Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur në vitin 1995 nga SHIK-u i Sali Berishës.
Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe emërtimin e një rruge me emrin e Tomor Malasit, ish deputet i PD dhe ish kryetar bashkie i Tiranës në vitet 1991-’92. Po ashtu, u miratua shpërblimi financiar për klubin e futbollit Partizani, pas triumfit në kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2022-2023.
Lini një Përgjigje