
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka theksuar se proceset zgjedhore të besueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Duke folur për takimin me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, Gonzata tha se në fokus ishte puna e komisionit në javët në vijim dhe rëndësia e avancimit të reformës zgjedhore.
Ambasadori nënvizoi se reforma duhet të synojë rritjen e transparencës në financimin e partive politike, garantimin e pavarësisë së administratës zgjedhore dhe parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore gjatë proceseve elektorale.
“Proceset zgjedhore të besueshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, mbeten një prioritet kyç në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Dje u takova me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, për të diskutuar punën e komisionit në javët në vijim.
Nënvizova rëndësinë e reformës zgjedhore për të rritur transparencën në financimin e partive politike, për të garantuar pavarësinë e administratës zgjedhore dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Një reformë e gjerë e rregullave zgjedhore, që përfshin edhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, është thelbësore për të garantuar besimin e publikut dhe për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme”, Sivio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Bashkimi Evropian e ka konsideruar vazhdimisht reformën zgjedhore si një nga elementët thelbësorë në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë, duke e lidhur atë me forcimin e shtetit të së drejtës dhe standardeve demokratike në vend.
Lini një Përgjigje