Avokati Arben Llangozi ka hedhur akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme lidhur me hetimet për dosjen e njohur si “Aruba”, duke pretenduar se SPAK nuk ka shkuar deri te përgjegjësit politikë të çështjes.
I ftuar në podkastin “Të Pashoq” në Pamfleti, Llangozi tha se vetë SPAK ka pranuar ekzistencën e personave të lidhur me qeverinë në dosje, por, sipas tij, emrat nuk janë bërë publikë.
“Nuk e them unë që ka qenë qeveria shqiptare në Aruba apo persona të lidhur me qeverinë, e thotë SPAK-u vetë. Dhe kur vjen puna, janë fshehur emrat. Atëherë, a ka detyrim kjo prokurori t’i bëjë publikë emrat? Patjetër që e ka. A ka pasur detyrim kjo prokurori të kërkonte masa arresti, ashtu siç kërkoheshin për anëtarët e këtij grupi kriminal? Patjetër. Po pse s’e ka bërë?”, u shpreh Llangozi.
Më tej, avokati ngriti pretendime për arsyet pse, sipas tij, SPAK nuk ka ndërmarrë hapa të tjerë në këtë çështje.
“S’e ka bërë sepse janë dy arsye. E para është që SPAK-u po luan kartën e fundit, duke i kërkuar kryeministrit zgjatje të mandatit në këmbim të favorizimit të kësaj afere. E dyta është se prokurorët komandohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama. Unë mendoj që është e para. Pra, këta po bëjnë një pazar të shpifur me drejtësinë”, deklaroi ai.
Llangozi shtoi se, sipas interpretimit të tij, personat që kanë marrë pjesë në takime jashtë vendit nuk mund të konsiderohen thjesht si persona në dijeni të ngjarjeve.
“Nuk mund të pretendojmë që të heqim disa deputetë apo persona të lidhur me qeverinë, që kanë marrë pjesë në këtë organizatë kriminale, sepse ata janë pjesëmarrës. Të nisesh nga Shqipëria, të shkosh në Aruba, të diskutosh mënyrën si do të financohesh në Shqipëri dhe t’i krijosh lehtësira, kjo është pjesëmarrje. Nuk është dijeni. Është pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal”, tha Llangozi.
Lini një Përgjigje