Revolta qytetare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike ka vijuar edhe në ditën e saj të 46-të, ndërsa nga podiumi para Kryeministrisë aktivisti Arben Kola ka sqaruar kuptimin e sloganit “Shqipëria e re”, duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe zërave që, sipas tij, kanë përhapur lajme se është larguar nga protesta.
Kola u shpreh se slogani nuk është i rastësishëm, por lidhet me veprën e rilindësve “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?”, duke u bërë thirrje qytetarëve ta lexojnë dhe ta kuptojnë.
“Shpesh herë na pyesin çfarë është parrulla ‘Shqipëria e re’. Shqipëria e re janë mosha e tretë, ne dhe fëmijët që përbëjmë këtë mozaik. Shqipëria e re është themeluar nga Rilindasit. Ju ftoj të blini librin ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?’. Ky manifest u hartua në Bukuresht. Lexojeni, kuptojeni dhe zbatojeni. Pjesa më e madhe kanë lexuar librat e George Orwell, por në kohën e Covid-it u dorëzuan. Disa këtu në shesh nuk u dorëzuan, kundërshtuan diktaturën komediane. Manifesti për Shqipërinë e re është ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?’”, deklaroi ai.
Më tej, aktivisti mohoi zërat se është tërhequr nga protesta, duke theksuar se ka qenë i pranishëm çdo ditë në shesh dhe se qëllimi i tij mbetet një Shqipëri e lirë dhe demokratike.
“Jam këtu çdo ditë në shesh, s’kam nevojë për protagonizëm. Ëndrra ime është një Shqipëri e lirë dhe demokratike, synimi është zgjimi i kombit shqiptar. Prania juaj këtu është rezultat i keqqeverisjes. Gjithçka nisi me betejat për lumenjtë, detet dhe kundër korrupsionit. Rama dhe Berisha janë bashkë për shkatërrimin e Valbonës, janë bashkë në Rrjoll, ku u tërhoqën zvarrë banorët. Mos u dorëzoni dhe mos u ndikoni nga propaganda. Jemi bashkë për rrëzimin e Edi Ramës”, u shpreh Kola.
Lini një Përgjigje