
Me pankarta, marshime dhe thirrje kundër qeverisë dhe kastës politike, protestuesit ritheksuan në ditën e 46-të se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e 46 të protestës. Me qindra qytetarë kanë zbritur sërish në shesh duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si edhe të gjithë kastës politike.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u grumbulluan fillimisht në sheshin "Skënderbej", për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë. Pas fjalimeve që do të mbahen nga aktivistët, më pas do të vijojë marshimi në disa nga akset kryesore në Tiranë.
Gjatë protestës, qytetarët përsërisin thirrjet që kanë shoqëruar tubimet prej javësh, si "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", "Qeveria dhe politika janë kthyer në harem!", "Jep dorëheqjen", Ju erdhi fundi", etj.
Me flamuj në duar dhe pankarta me mesazhe ironizuese ndaj qeverisë dhe klasës politike, protestuesit kërkojnë ndryshim të sistemit politik dhe rikthimin e demokracisë përfaqësuese.
Sipas protestuesve, pakënaqësia e tyre lidhet me mënyrën e qeverisjes, korrupsionin, situatën ekonomike dhe standardin e jetesës në vend. Organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë marshimit te Kryeministria, pati brohoritje, këngë patriotike, pankarta ironizuese dhe thirrje të vazhdueshme drejtuar qeverisë dhe gjithë klasës politike.
Lini një Përgjigje