
Në protestën e 46-të, e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë, shqiptarja nga Frankfurti, Afërdita Bërdufi, iu bashkua qytetarëve dhe iu bën thirrje të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos lejojnë që bindjet politike t'i përçajnë.
Në fjalën e saj, Bërdufi tha se largimi nga Shqipëria ishte i detyruar për shkak të mungesës së mundësive për një jetë dinjitoze dhe demokratike.
"Pas përfundimit të gjimnazit në Elbasan, jam detyruar të largohem nga Shqipëria, sepse këtu nuk të ofrohet mundësia të krijosh një jetë dinjitoze, një jetë në një vend demokratik", u shpreh ajo.
Ajo deklaroi se ka ardhur në Tiranë së bashku me një grup shqiptarësh nga Frankfurti për të mbështetur protestën dhe u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin.
"Për këtë arsye, jo vetëm i bëj thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të mbajë përgjegjësi politike për të gjitha këto që kanë ndodhur vitet e fundit, por gjithashtu dua t’ju transmetoj mbështetjen time shumë të madhe, sepse unë njëkohësisht jam organizatore e protestave sensibilizuese që organizohen në Frankfurt.
Ne e mbështesim kauzën tuaj, sepse kauza juaj është shumë e drejtë. Kemi ardhur nga Frankfurti si grup për t’ju mbështetur dhe për të arritur së bashku të krijojmë një shtet të së drejtës, një shtet demokratik, jo vetëm në letra, por realisht demokratik. Kam vetëm një lutje për të gjithë ju. Ju lutem, këtë kauzë mund ta fitoni, sepse më të fortë se populli nuk ka. Por duhet të bëheni të gjithë bashkë", u shpreh qytetarja.
Sipas saj, prioritet është ndryshimi i qeverisjes, ndërsa më pas vendi duhet të garantojë një sistem me konkurrencë të lirë politike.
"Duhet ta mendoni të gjithë se hapi i parë është heqja e këtij regjimi diktatorial. Hapi i dytë është hapja e garave të lira, me drejtësi dhe transparencë, për të gjithë ata që duan të bëjnë një karrierë politike.
Nuk ka asnjë problem, bindjet politike janë të ndryshme. Por ju lutem, dhe ky është mesazhi që dua t’ju jap, bëhuni bashkë dhe mos e lini veten të përçaheni nga bindjet politike.
Tani detyra numër një është heqja e këtij regjimi diktatorial. Regjimet diktatoriale janë shumë të vështira për t’u hequr, ndaj bëhuni bashkë. Më pas mendoni se si të konkurroni politikisht. Kjo është shumë e rëndësishme. Ndryshe do të përçaheni shumë shpejt. Ky është një moment historik shumë i rëndësishëm", përfundoi ajo.
Gjatë protestës u lexua edhe një deklaratë mbështetëse e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), e cila, sipas organizatorëve, shpreh solidaritet me protestuesit.
Përpara leximit të deklaratës, një prej protestuesve iu drejtua kryeministrit me fjalët: “Rama bëj gati pizhamet, të pret burgu”.
Më pas u lexua mesazhi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane: “Për më shumë se 3 dekada Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka qëndruar e palëkundur në misionin e saj për të promovuar demokracinë, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të avancuar interesat shqiptare. LQSHA qëndron në krah të qytetarëve që mbrojnë interesat shqiptare dhe kundër atyre që i dëmtojnë këto interesa. Kemi mbrojtur sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e qytetarëve përmes mjeteve paqësore e demokratike. LQSHA po ndjek demonstratat patriotike e paqësore ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama duke kërkuar transparencë, liri e të drejta demokratike”.
Lini një Përgjigje