Kancelari gjerman reagoi pas nismës së Departamentit Amerikan të Shtetit për të financuar organizata në Evropë që mbështesin kauza të lidhura me lëvizjen MAGA.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka bërë thirrje administratës së presidentit amerikan Donald Trump të mos ndërhyjë në zgjedhjet në Gjermani, pas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për një program financimi që, sipas kritikëve, mund të favorizojë organizata dhe grupe të afërta me lëvizjen MAGA në Evropë.
Nisma parashikon grante deri në 3 milionë dollarë për organizata jofitimprurëse, institute studimore (think tank), si dhe individë në vendet evropiane. Sipas Departamentit të Shtetit, fondet synojnë të mbështesin projekte që trajtojnë çështje si “sovraniteti kombëtar, migracioni, censura dhe sfidat ligjore”, në përputhje me “filozofinë e përbashkët politike, shtetin e së drejtës dhe trashëgiminë e përbashkët qytetëruese perëndimore”.
Duke folur në konferencën e tij vjetore për shtyp në Berlin, Merz tha se nuk dëshiron që SHBA-ja të ndikojë në zgjedhjet rajonale gjermane të shtatorit.
“Ne nuk ndërhyjmë në zgjedhjet amerikane. Në të njëjtën mënyrë, nuk dua që qeveria amerikane ose institucione pranë saj të ndërhyjnë në zgjedhjet gjermane”, deklaroi ai.
Ish-zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit thanë se programi i ri është pjesë e një strategjie disamujore për të orientuar fondet amerikane drejt mbështetjes së grupeve të djathta dhe, potencialisht, edhe partive politike në Evropë.
Sipas tyre, formulimi i kushteve të programit është i paqartë. Në njoftim thuhet se për financim mund të aplikojnë “individë” dhe “institucione qeveritare”, pa sqaruar se cilat kategori përfshihen konkretisht.
Raportime të mëparshme kanë sugjeruar se administrata Trump është e interesuar të financojë edhe parti politike në Evropë, megjithëse kjo mund të përballet me kufizime të ligjit amerikan për ndihmën ndaj vendeve të huaja.
Merz kujtoi se ligji gjerman ndalon financimin e partive politike nga jashtë vendit.
“Duket se Departamenti i Shtetit po përpiqet të ndikojë në balancën e zgjedhjeve në Evropë, duke u dhënë partive të djathta një avantazh të padrejtë përmes burimeve që normalisht nuk do t'i kishin”, tha një ish-zyrtar i departamentit.
Nisma vjen pas deklaratave kritike ndaj aleatëve tradicionalë evropianë nga zyrtarë të administratës Trump, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, lidhur me migracionin, abortin dhe politikat për sigurinë në internet.
Zyrtarët amerikanë kanë intensifikuar gjithashtu kontaktet me organizata social-konservatore dhe parti të së djathtës në Evropë.
Në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, të publikuar në dhjetor, thuhet se Evropa përballet me një “zhdukje qytetëruese”, ndërsa vlerësohet rritja e ndikimit të “partive patriotike evropiane”.
Muajin e kaluar, qeveria britanike hodhi poshtë pretendimet e një zyrtareje të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Sarah B. Rogers, e cila kishte deklaruar se policia britanike po kryente mijëra arrestime për shkak të “lirisë së shprehjes”.
Rogers është bërë një nga zërat më të spikatur të administratës Trump në kritikat ndaj demokracive liberale evropiane. Më herët këtë vit, gjatë një vizite në Irlandë, ajo premtoi 500 mijë dollarë financim amerikan për promovimin e “lirisë digjitale”.
Programi i granteve administrohet nga Byroja për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën në Departamentin Amerikan të Shtetit. Kjo strukturë, e krijuar gjatë presidencës së Jimmy Carterit për të promovuar të drejtat e njeriut gjatë Luftës së Ftohtë, është riorientuar nën administratën Trump.
Sipas raportimeve, ndër përfituesit e mundshëm të fondeve mund të jenë organizata konservatore në Britani dhe grupe të tjera evropiane që promovojnë lirinë e shprehjes ose që kanë humbur mbështetjen financiare pas ndryshimeve politike në Hungari. /Pamfleti
Lini një Përgjigje