
Analisti Fatos Lubonja, ka folur për vendimin e Gjykatës së Lartë për cëcshtjen e “21 janarit”, duke thënë se nuk ka drejtësi të pavarur, por këto janë vendime që merren nga PS.
Lubonja theksoi se për vrasjet e 21 janarit, janë të dyja palët politike.
“Për vendimin për 21 janarin, do të thosha se këto janë vendime të PS, nuk ka drejtësi të pavarur. Ngjarja është e rëndësishme, por se nuk është bërë asnjëherë drejtësi, por është instrumentalizim politik. Kjo sepse nëse do të bëhej drejtësi e vërtetë, përgjegjësit për vrasjet janë të dyja palët. Unë shoh përgjegjëse të dyja palët, të dyja palët duhen hetuar”, tha Lubonja.
Analisti komentoi marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës, që kjo e fundit të hyjë në Kuvend dhe të ngrihen dy Komisione Hetimore. Sipas tij, nga marrëveshja fiton më shumë Rama sesa opozita.
“Mendoj se mazhoranca ka shumë gurë, që i lëviz këtej e andej. Edhe marrëveshjet janë strategji, që bëhen më së shumti për interesa të mazhorancës. Me këtë marrëveshje, duket sikur mazhoranca po e njeh Rithemelimin. Edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar normalitet në parlament. Edi Rama ka dhënë dy çështje për hetime, pse nuk i dha të gjitha çështjet për hetim. Jep për hetim atë që dëshiron Rama. Duhet të tërhiqej ligji i ri për Komisionet Hetimore.
Kjo që u arrit mund ta kthejë edhe opozitën një fasadë në parlament. Opozita ka nevojë për një mbështetje më të madhe të njerëzve. Gjithashtu opozita duhet të reflektojë edhe për bashkim sa më të gjerë, por duket se nuk kanë fuqi për këtë punë. Me këtë situatë, Rama merr më tepër fitore se opozita.
Për Ramën, legjitimimi ndërkombëtar është i rëndësishëm. Duhet që të gjithë opozitarët, pavarësisht dallimeve, të bashkohen dhe të mendojnë për rikthimin e demokracisë. Duhet menduar për rezistencë, pastaj për fitore, e cila ndoshta vjen edhe për faktin se mazhoranca mund të shkatërrohet së brendshmi”, deklaroi Lubonja në një intervistë për News 24.
Lini një Përgjigje