
Safet Gjicit gjithashtu i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Ish kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici është dënuar nga GJKKO me tre vite burg për shpërdorim detyre! Ndërkohë që për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gjici do të vuajë përfundimisht 2 vite burg.
Në anën tjetër, Alma Kaçi, protagonistja në videon me ish-kryebashkiakun Gjici, është dënuar me 1 vit burg për prostitucion. Safet Gjicit gjithashtu i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Me dhënien e vendimit, Gjykata e Posaçme bëri edhe riakualifikim të veprave penale për të cilat u shpallën fajtorë Gjici dhe Kaçi. Gjykata ndryshoi akuzën për Gjicin nga korrupsioni pasiv në shpërdorim detyre dhe për Kaçin nga korrupsion aktiv në prostitucion.
Njoftimi i plotë i GJKKO-së
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit Safet Gjici, i akuzuar për veprën penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe të pandehurës Alma Kaçi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Erjon Bani dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 41/128 Regjistri themeltar, datë datë 07.02.2024 vendosi:
deklarimin fajtor të të pandehurit Safet Gjici për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penaldhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penaleuljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Safet Gjici me 2 (dy) vjet burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Safet Gjici fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Safet Gjici i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
Deklarimin fajtore të të pandehurës Alma Kaçi, lidhur me kryerjen e veprës penale “Prostitucioni” parashikuar nga neni 113 parg. 1 i Kodit Penal dhe dënimin e saj në bazë të kësaj dispozite me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penaleuljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Alma Kaçi me 1 (një) vit burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurën Alma Kaçi fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të vuajtjes së dënimit për femra.
Lidhur me provat materiale disponohet sipas kërkesës së Prokurorisë.
Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe ato gjatë gjykimit ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.
Ndërkohë që gjatë seancës së sotme në GJKKO, Gjici i kërkoi falje familjes, teksa fajësoi për videon ish-kreun e këshillit të qarkut të Kukësit, Abedin Uruçin.
“Unë kam marrë dënimin më të madh, është dënimi moral. Iu kërkoi falje familjarëve të mi dhe qytetarëve të Kukësit. Përplasja ime me Abedin Orucin ka nisur që në vitin 2019 kur unë në cilësinë e kryetarit të bashkisë i hoqa atij rrethimin e sheshit para bashkisë sepse nuk ishte proneëe tij. Nuk e kam lejuar të ndërtojë një objekt pa leje ne afërsi të liqenit të Kukësit, si dhe kam patur edhe përplasje fizike kur në Kukësi ishte ambasadorja holandeze. Konflikti mes nesh ka qenë i hapur dhe ai e pagoi Alma Kacin ne shenje hakmarrje pse unë nuk e lashë te zaptonte pronat e bashkisë dhe të ndërtonte në mënyrë të paligjshme”, tha Gjici.
Mbrojta e Gjicit insistoi se Alma Kaçi ishte paguar për të realizuar videon dhe po ashtu, kanë ngritur dyshime se ajo ka pasur komunikime me Abedin Oruçin në lidhje me çështjen e videos dhe kartën memorie që është bërë regjistrimi.
“Pamjet janë gjetur tek një usb në banesën e Kaçit. Po ashtu njohja mes Abedinit dhe Almës është e hershme dhe ata kanë folur vazhdimisht me njëri-tjetrin në lidhje me këtë çështje. Pse prokuroria nuk hetoi faktin që Abedin Oruci i ka dhënë prokurë avokatit që ta përfaqësojë në çdo shkallë gjyqësore? Po ashtu pse prokuroria në datën 9 tetor kur e ka pyetur Abedin Oruçin nuk i ka kërkuar shpjegime për komunikimet me Almën”, shprehet mbrojtja e Safet Gjicit.
Sipas mbrojtës në datë 23 maj 2023 ka qenë takimi i parë mes Safet Gjicit dhe Alma Kacit, kohë në të cilën ata kanë kryer marrëdhënie seksuale.
Kujtojmë se ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici u arrestua nga policia më 24 qershor të vitit 2023, pas publikimit të videos seksuale në zyrën e Bashkisë Kukës me Alma Kaçin.
Gjici u filmua duke kryer marrëdhënie intime me një vajzë, por pasi u publikua videoja e plotë rezultoi se 40-vjeçarja Alma Kaçi në këmbim do të merrte tenderin për menaxhimin e qenve të rrugës në Kukës./Pamfleti
Lini një Përgjigje