
Prokuroria e Beratit ka urdhëruar arrestimin e tre personave për një skandal ushqimor që përfshin mbi 21 mijë kg mandarina të kontaminuara me pesticide të ndaluara.
Të arrestuarit janë fermeri, grumbulluesi dhe inspektori i AKU, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”, “shkelje të rregullave për lëndët helmuese,” “prodhim dhe shitje të ushqimeve të rrezikshme për jetën e njerëzve” dhe “mashtrim me produktet ushqimore”.
Organi hetues thotë se mandarinat e nxjerra në treg kanë qenë me përmbajtje të lartë të një pesticidi, ndërsa produktet ishin kthyer nga një tjetër vend. Në këtë rast, fermeri nuk ka zbatuar asgjësimin e tyre, por ka lejuar shitjen.
Analizat treguan se frutat përmbanin mbetje të pesticideve mbi normën e lejuar, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin publik.
Njoftimi i Prokurorisë:
Dyshime për hedhjen në treg të mbi 21.000 kg mandarina me pesticide, arrestohen me kërkesë të prokurorisë Berat fermeri, grumbulluesi dhe inspektori.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, u arrestuan shtetasit E.T., A.D. dhe E.T. për veprat penale të ‘Shpërdorimit të Detyrës’, ‘Shkelje të rregullave për lëndët helmuese‘, ‘Prodhim dhe shitje të ushqimeve dhe lëndëve të rrezikshme për shëndetin apo jetën e njerëzve‘ dhe ‘Mashtrim me produktet ushqimore‘ të parashikuara nga nenet 281, 288 dhe 288/c të K. Penal.
Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.768 mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Autoriteti Kombëtar të Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme Tiranë pas refuzimit në Kroaci të 21593 kg mandarina klementine të dyshuara me pesticide fosmet, rezultoi se produkti është blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë.
Nga analizat, u konstatua se tek kjo sasi mandarinash kishte mbetje pesticidi “Fosmet” mbi normën e lejuar (0.075 mg/kg –vlera e lejuar ≤ 0.01 mg/kg). Në një kohë kur ky pesticid është hequr nga përdorimi nga viti 2022 dhe nuk lejohet të përdoret. Konsumimi i një fruti që përmban mbetje të fosmetit mbi nivelet e lejuara mund të sjellë pasoja për shëndetin e njeriut, veçanërisht nëse ekspozimi është i përsëritur, pasi fosmeti është një kimikat toksik.
Nga hetimet rezultoi se procedura e kthimit të produktit të pasigurt, është bërë pa dijeninë e AKU dhe fermeri E.T., tha se ka asgjësuar produktin e kthyer nga operatori i biznesit ushqimor në një vend të paidentifikuar. Vetë fermeri pretendoi se e kishte hedhur mallin në landfillin e Bashkisë Dimal ku ndërkohë nga këqyrja rezultoi se nuk kishte asnjë mbetje produkti. Gjithashtu në deklarimin e dhënë në AKU sipas procesverbalit të konstatimit rezulton të ketë deklaruar se e ka hedhur mallin në kanale të rastësishme.
Ndërkohë, punonjësi i DRVMB Berat inspektori E.T., në lidhje me këtë rast, ka deklaruar se punon prej 5-vitesh në këtë pozicion dhe ka për detyrë të monitorojë bimët dhe të lëshojë certifikatat fitosanitare. Ai deklaroi se ka shkuar tek fermeri pas ngritjes së grupit të punës dhe se mostrat i ka marrë në pemë tek fermeri. Por duke qenë se është personi përgjegjës i cili certifikon mallrat për eksport, ka deklaruar se ka pasur raste që i dërgonte bosh certifikatat tek subjekti dhe vetë subjekti i plotësonte dhe ja dërgonte të plotësuara me foto dhe ai më pas i regjistronte në databasën e DRVMB.
Lini një Përgjigje