
Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se zyrtarë të këtij universiteti kanë manipuluar 9 tendera gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.
GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për administratorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe 4 zyrtarëve të tjerë të këtij universiteti për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
Pavarësisht presionit të Kryeministrit, i cili organizoi edhe një seancë dëgjimore në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist me Rektorin, të cilën Edi Rama e shfrytëzoi për të sulmuar SPAK dhe gjykatës së GJKKO-së.
“Nuk do ndonjë shkencë për të imagjinuar sa nga këto masa sigurie do të rrëzohen në Strasburg dhe sa do të shkojë fatura. Të marrësh 24 masa sigurie, të trondisësh një universitet të tërë dhe t’i japësh një shkelm një marrëveshje të bërë duke shkuar unë atje si lyps tek shkallët e universitetit të BOKU-t në Vjenë për t’ju lutur, që hajdeni në Shqipëri, hajdeni ta bëjmë një universitet austriak. Pyeta rektorin për cfare shume behet fjale, me tha nen 300 mln leke te vjetra”, deklaroi Rama.
Por duket se GJKKO nuk ka rënë nën presionin e Kryeministrit, duke lënë në fuqi 19 nga 24 masat e sigurisë, ndërsa 5 persona do të vijojnë të qëndrojnë në qeli.
Më konkretisht GJKKO ka lënë në burg:
1- Edmond Tërthorja, administratori i UBT-se – “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në 6 raste (nenet 258 e 25 të Kodit Penal)
2- Amarildo Lleshi, përgjegjësi juridik i UBT – “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në 5 raste, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal.
3- Mehmet Qoshja, – drejtor i prokurimeve – “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në 3 raste, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal.
4- Altin Murto, – Drejtor i fondeve – “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në 2 raste, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal.
5- Piro Zoga – Zotëruesi i operatorit ‘Krijon shpk’ – “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal (katër raste).
Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se zyrtarë të këtij universiteti kanë manipuluar 9 tendera gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.
Hetimet kanë zbuluar një skemë korruptive, ku janë përfshirë zv.rektori i Universitetit, administratori dhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar me kompani private, duke përcaktuar fituesit e tenderave paraprakisht dhe duke falsifikuar dokumente për të rritur vlerën e kontratave publike.
Lini një Përgjigje