
Avokati Arben Llangozi ka reaguar në lidhje me skandalin e rëndë, ku në Shqipëri janë importuar dhe shpërndarë në treg një sasi e lartë e mishit të pulës me salmonelë.
Në një postim në rrjete sociale, Llangozi shkruan se kryeministri Edi Rama e ka reklamuar kompaninë "Dimal Inc.", në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha, si një shembull suksesi në sektorin ushqimor.
Llangozi shkruan se filetot e pulës me salmonelë mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore te konsumatorët, përfshirë ethe të larta, dhimbje barku, diarre dhe komplikacione të tjera që mund të jenë fatale për njerëzit.
Sipas avokatit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostrat e mishit të kontaminuar për analiza, por rezultatet që konfirmuan praninë e salmonelës u publikuan disa ditë më vonë, kohë gjatë së cilës produktet tashmë ishin konsumuar nga qytetarët.
“Skandal: Edi Rama reklamon mishin e pulës me salmonelë, foto duke bërë propagandë si një arritje e madhe.
Një skandal i rëndë ka tronditur tregun shqiptar, ku kompania "Dimal Inc.", në pronësi të biznesmenit Mondi Goxha, ka importuar dhe shpërndarë në treg një sasi të konsiderueshme mishi pule të infektuar me bakterin e rrezikshëm Salmonella Typhimurium.
Ky bakter mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore te konsumatorët, përfshirë ethe të larta, dhimbje barku, diarre dhe komplikacione të tjera që mund të jenë fatale për grupet e rrezikuara si fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar. Sipas raportimeve të fundit, mishi i kontaminuar ka hyrë në Shqipëri më 11 mars 2025 dhe është shpërndarë në treg përpara se të përfundonin analizat laboratorike.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostrat për analiza, por rezultatet që konfirmuan praninë e salmonelës u publikuan disa ditë më vonë, kohë gjatë së cilës produktet tashmë ishin konsumuar nga qytetarët. Kjo vonesë ka ngritur dyshime të mëdha mbi efikasitetin dhe përgjegjësinë e autoriteteve të sigurisë ushqimore në vend.
Ajo që e bën këtë situatë edhe më shqetësuese është fakti se kompania "Dimal Inc." ka qenë më parë subjekt i promovimeve publike nga vetë Kryeministri Edi Rama, i cili e ka reklamuar këtë biznes si një shembull suksesi në sektorin ushqimor. Skandali bëhet edhe më i madh pasi tani rezulton se mishi i reklamuar si cilësor nga kryeministri përmban baktere të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve”, shkruan Llangozi.
Më tej, avokati ngre shqetësimin e personave që mund të kenë blerë dhe konsumuar ngq mishi me salmonelë. Ai thotë që dyshimet e ngritura tregojnë se, fakti që kompania u reklamua nga vetë kryeministri mund të ketë ndikuar edhe me vonesën e hetimeve për të parandaluar skandalin.
Llangozi shton më tej se biznesmeni i cili ka importuar mishin e infektuar duhet të arrestohet menjëherë, bashkë me të gjithë ata që lejuan këtë skandal të ndodhë.
Ai tha se çdo vonesë në marrjen e masave për këtë çështje është një rrezik i madh për shëndetin public, teksa shtoi se nuk mund të ketë kompromise kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore dhe jetën e qytetarëve.
“Konsumatorët që mund të kenë blerë dhe konsumuar mishin e prekur tashmë janë në panik, duke kërkuar përgjigje dhe masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse. Dyshimet e ngritura tregojnë se ndikimi i kryeministrit mund të ketë ndikuar në vonesën e hetimeve dhe në mungesën e masave të menjëhershme për të parandaluar skandalin.
Kjo ndërhyrje mund të ketë ndikuar në mosveprimin e institucioneve, duke rrezikuar kështu shëndetin e qytetarëve për hir të interesave të ngushta ekonomike apo politike. Ky rast nxjerr në pah nevojën urgjente për transparencë dhe përgjegjësi nga të gjitha palët e përfshira. Shëndeti i qytetarëve nuk mund të vihet në rrezik për shkak të neglizhencës apo ndikimeve politike në vendimmarrje.
Ky rast tregon edhe një herë domosdoshmërinë e reformave të thella në sistemin e sigurisë ushqimore dhe zbatimin rigoroz të rregullave për mbrojtjen e konsumatorëve. Në një vend me drejtësi funksionale, biznesmeni që importoi mishin e infektuar duhet të arrestohet menjëherë, bashkë me të gjithë ata që lejuan këtë skandal të ndodhë.
Çdo vonesë në marrjen e masave për këtë çështje është një rrezik i madh për shëndetin publik dhe një tregues i qartë i mungesës së përgjegjësisë në hierarkinë shtetërore. Nuk mund të ketë kompromise kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore dhe jetën e qytetarëve”, thuhet më tej në postimin e avokatit Llangozi.

Lini një Përgjigje