
Urgjenca e QSUT vijon të jetë e mbyllur pas zjarrit që ra gati një javë më parë. Edhe pse zjarri ra në katet e nëndheshme dhe pati vetëm tym, aksesi në urgjencë është pezulluar. Madje sot pati një tjetër alarm për zjarr, që rezultoi fals. QSUT më në fund reagoi duke vijuar me justifikimet
Njoftimi:
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bën me dije se si pasojë e një defekti teknik në një nga dhomat e shërbimeve teknike 6 ditë më parë, në katin -1 të godinës së Spitalit Qëndror në QSUT u konstatua tym dhe menjëherë u morën masat për mos përhapjen e tij në ambientet e shërbimit të urgjencës si dhe është bërë sigurimi i pacientëve të shtruar duke e vijuar shërbimin ndaj qytetarëve.
Për të mos cenuar shërbimin e urgjencës për qytetarët për shkak të këtij defekti teknik të ndodhur, bazuar në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.
Ndërsa qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës , Fierit e Beratit do marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brëndshme e atë ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër.
Aksidentet vaskulare cerebrale trajtohen në Sherbimin neurovaskular QSUT ndërsa urgjencat e tjera neurologjike në QSR Shefqet Ndroqi.
Fale investimeve të bëra në të gjithe sistemin këtë dekadë dhe angazhimit të personelit shëndetësor, janë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ofruar përkohësisht shërbimin e urgjencës së spitalit qendror në këto struktura shëndetësore bazuar në planet e emergjencës.
Ndërkohë aktualisht strukturat përgjegjëse po vijojnë punën intensivisht për rikthimin sa më parë në punë të shërbimit të urgjencës në spitalin qëndror në QSUT duke garantuar dhe sigurinë e të gjithë elementëve teknik për të vijuar shërbimin ndaj qytetarëve me standartet e duhura.
Sistemi shëndetësor spitalor është i mobilizuar, për t’i shërbyer qytetarëve në çdo skaj te vendit për nevojat e tij shëndetësore.
Spitalet punojnë me staf të plotë për të pritur urgjencën e sëmundjeve kardiake, semundjeve të specialiteteve të ndryshme duke qenë në gadishmeri 24/7 koronarografi.
Lini një Përgjigje