
Situata e zjarreve duket se po shkon drejt normalizimit në disa zona. Ministria e Mbrojtjes njofton se është bërë e mundur vendosja nën kontroll e flakëve që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Bashkitë Himarë dhe Delvinë, veçanërisht në: Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras.
Ndërkohë që aktualisht mësohet se skuadrat e zjarrfikësve dhe Forca Ajrore, vijojnë operacionet pranë vatrave në lartësitë e Lukovës dhe Skërficës për të parandaluar përhapjen e fronteve të mëtejshme.
"Pas një nate intensive dhe sfiduese, falë angazhimit gjithështetëror – të forcave operacionale, Forcat e Armatosura të Shqipërisë , strukturave vendore dhe mbështetjes nga ajri – u bë e mundur vendosja nën kontroll e flakëve që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Bashkitë #Himarë dhe #Delvinë, veçanërisht në: Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras.
Në Kalasë, zjarri, i nxitur nga era e fortë, kaloi nga territori i Bashkisë Himarë drejt një lagjeje të fshatit. U ndërmorën menjëherë masa evakuimi dhe në terren ndërhynë 75 forca operacionale si dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Falë reagimit të shpejtë dhe bashkërendimit të strukturave, banesat u mbrojtën dhe u shmang çdo rrezik për jetën e banorëve.
Në Sasaj dhe Piqeras, vatrat u intensifikuan gjatë natës, duke rrezikuar zonat e banuara. U krye evakuimi i përkohshëm i banorëve, ndërsa forcat operacionale neutralizuan me sukses flakët dhe parandaluan përhapjen e tyre.
Në Lukovë dhe Shën Vasil, ndërhyrja e forcave operacionale dhe mjeteve zjarrfikëse bëri të mundur frenimin e zjarrit që kishte prekur zonat kodrinore dhe pyjore përreth. Situata u vendos nën kontroll pas një angazhimi të pandërprerë.
Në këto momente skuadrat e zjarrfikësve dhe Forca Ajrore, nën koordinimin e Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet pranë vatrave në lartësitë e Lukovës dhe Skërficës për të parandaluar përhapjen e fronteve të mëtejshme.
Mirënjohje të thellë për çdo efektiv të përfshirë në këto operacione:
Efektivët e Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësit vendorë Pilotët e helikopterëve të Forca Ajrore dhe ekipet ajrore të ardhura nga Italia Prefektin e Qarkut Vlorë, kryetarët e bashkive Delvinë, Himarë dhe Konispol për drejtimin e skuadrave në terren nën koordinimin e Zëvendës Kryeministres Belinda Balluku. Banorët e zonës për bashkëpunimin dhe qetësinë gjatë operacioneve të evakuimit
Faleminderit për bashkëpunimin e ngushtë ndërinstitucional në këto ditë jo të lehta, në betejë me zjarret!", thuhej në një njoftim.
Lini një Përgjigje