
Gara për kreun e BKH hyn në fazën e fundit...
Ka përfunduar faza e intervistave në procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Pas testit të poligrafit të zhvilluar më datat 24 dhe 25 korrik, sot 7 kandidatët ju nënshtruan intervistave. Ato nisën në orën 09:00 në ambientet e SPAK dhe zgjatën 45 minuta për secilin kandidat.
Komisioni i Përzgjedhjes, i asistuar nga përfaqësues ndërkombëtarë, vlerësoi njohuritë profesionale, aftësitë drejtuese dhe qasjen e kandidatëve ndaj sfidave që sjell drejtimi i një institucioni të specializuar në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.


Kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Në përfundim, u vendos që të shtatë kandidatët të kalojnë në fazën e fundit, atë të verifikimit të figurës dhe kontrollit të pasurisë, në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 95/2016, i cili rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Verifikimet e mëtejshme të figurës do të kryhen nga Komisioni i Posaçëm për Verifikimin e Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, sipas parashikimeve në neneve 6 dhe 57 të Ligjit nr.95/2016. Komisioni i Posaçëm për Verifikimin e Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve do të dorëzojë, brenda një periudhe prej 120 ditësh, një raport të detajuar mbi ligjshmërinë e burimeve të pasurisë dhe pastërtinë e figurës të kandidatëve. Ky raport do të jetë pjesë e vlerësimit të kandidatëve nga Komisioni i Përzgjedhjes. Në përfundim të procesit të vlerësimit të kandidatëve, Komisioni i Përzgjedhjes përcakton kandidatin më të mirë. Bazuar në neni 32/2 të ligjit nr.95/2016, kandidati i përzgjedhur, i nënshtrohet programit të trajnimit. Pas përfundimit të programit të trajnimit Komisioni i Përzgjedhjes i dërgon emrin e kandidatit të përzgjedhur për pozicionit e Drejtorit të BKH-së, për miratim Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, thuhet në rregullore.
Komisioni që do të përcaktojë kreun e ri përbëhet nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra. Ka zëra që thonë se ka përplasje mes tyre, por do të duhet të shohim në fund se për kë do të vendosin.
Lini një Përgjigje