TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Maj 2026, 21:33

Si po bien armët në duart e të rinjve? Avokati: Pas tyre qëndrojnë grupe kriminale

Shkruar nga Pamfleti
Si po bien armët në duart e të rinjve? Avokati: Pas tyre
Foto Ilustruese

Pas plagosjes së një 17-vjeçari në Kamëz nga shoku i tij 19-vjeçar, avokati Alban Duraj ka ngritur alarmin për mënyrën se si armët po përfundojnë në duart e të rinjve.

I ftuar në "A2 CNN", Duraj deklaroi se trafiku i armëve në Shqipëri mbetet një fenomen shqetësues, pavarësisht operacioneve dhe kontrolleve të policisë.

Sipas tij, grupet kriminale vijojnë të depërtojnë dhe të sigurojnë armë për shkak të dobësive në funksionimin e strukturave shtetërore dhe bashkëpunimit kriminal në rajon. Ai përmendi si pika problematike edhe kufijtë me vendet fqinje, si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

“Trafiku i armëve është shumë i zhvilluar. Pavarësisht punës së policisë dhe organeve ligjzbatuese, grupet kriminale arrijnë të penetrojnë për shkak të mosfunksionimit të disa strukturave shtetërore”, u shpreh avokati Duraj.

Avokati tha gjithashtu se armët shpesh qarkullojnë edhe mes të rinjve dhe shoqërive të tyre, ndërsa zbuloi se ekziston edhe një tjetër formë shqetësuese e sigurimit të tyre: porositë online.

“Ka pasur raste kur të miturit porosisin armë në faqe online dhe ato u vijnë me postë. Për këto raste ka pasur edhe aksione të policisë dhe ndjekje penale ndaj tregtarëve”, deklaroi ai.

Deklaratat e Durajt vijnë në një moment kur ngjarjet me armë mes të rinjve po shtohen, duke rikthyer debatin mbi sigurinë dhe kontrollin e armëve në vend.

“Trafiku i armëve është një nga trafiqet që këtu është shumë i zhvilluar, pavarësisht punës së Policisë së Shtetit apo organeve të tjera ligjzbatuese, në bashkëpunim edhe me organet e tjera të cilat janë kufitare apo rajonale, siç mund të jetë Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Greqia. Prapë kemi grupe kriminale të cilat penetrojnë për shkak të mosfunksionimit të shumë strukturave shtetërore, por edhe ato policore. Këto janë veprimtari kriminale të cilat ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara, siç mund të jenë ato europiane apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arma mund të jetë gjetur mes shokëve. Ka raste të tilla nga adoleshentët. Kemi dhe një mënyrë tjetër se si ndodh ky trafikim. Ka pasur shumë faqe online në të cilat qytetarët, të miturit, porosisin armët e tyre në këto faqe online dhe i vijnë me postë. Ka pasur edhe shumë aksione të policisë të cilat i kanë ndjekur edhe penalisht këta tregtarë”, u shpreh avokati në fjalën e tij të plotë.

1 Komente

  1. T
    Tony

    Nuk behet fjale per kriminele koke dru. Kur shteti nuk i del ne mbrojtje popullit, ndonje indivit i irrituar nga padrejtesite e moscarja e kokes nga shteti do i beje sherbim vehtes si te munde per te mbrojtur familjen. Ne se shteti nuk e ve ujin ne zjarr kjo do te ndodhe.

    Lini një Përgjigje