TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Tetor 2025, 10:30

“Shto ujë e shto miell”; Blendi Gonxhe i shton 1.6 milionë euro tenderit të Mirela Kumbaros për “qendrat turistike” në Vjosë

Shkruar nga Pamfleti

“Shto ujë e shto miell”; Blendi Gonxhe i shton 1.6 milionë

Ministri i ri i Turizmit miraton ndryshimin e kontratës 10 muaj pas nisjes së punimeve; kostoja fiktive shkon në 8.5 milionë euro për tre stacione guidesh...

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe, ka ndërhyrë në një nga tenderët më të dyshimtë të ish-ministres Mirela Kumbaro, duke i shtuar edhe 1.6 milionë euro të tjera kontratës ekzistuese për ndërtimin e tre stacioneve turistike përgjatë lumit Vjosë.

Tenderi në fjalë, me objekt “Qendra Multi-funksionale në Luginën e Vjosës”, përfshin tre stacione guidesh në Përmet, Tepelenë dhe Pishë-Poro të Vlorës. Ai u zhvillua më 3 dhjetor 2024 dhe u fitua nga dy kompani të përzgjedhura në pazar me ministren e atëhershme Mirela Kumbaro, me vlerë kontrate 6.9 milionë euro me TVSH, ose 99.2% të fondit limit.

Sipas ekspertëve të pavarur, kostoja reale e projektit nuk e kalon 2.3 milionë euro, çka do të thotë se vlera fillestare ishte trefishuar që në fazën e parë të tenderimit. Por në vend që të nisnin hetimet për abuzimin, ministri i ri Blendi Gonxhe vendosi ta “rregullojë” pazarin e paraardhëses, duke miratuar një shtesë kontrate me justifikimin absurd se “kanë dalë vështirësi teknike dhe punime të paparashikuara”.

Në Buletinin e Prokurimeve Publike të datës 13 tetor 2025, është njoftuar zyrtarisht ndryshimi i kontratës dhe shtimi i vlerës financiare. Justifikimi zyrtar është një mashtrim i zakonshëm burokratik, “mospërputhje të theksuara midis projektit dhe preventivit të punimeve”  që përdoret për të legalizuar vjedhjet gjatë zbatimit të kontratave publike.

“Shto ujë e shto miell”; Blendi Gonxhe i shton 1.6 milionë

Në fakt, projekti ishte miratuar dhe vlerësuar teknikisht në detaje, dhe çdo “vështirësi” e supozuar duhej të ishte parashikuar para fillimit të punimeve. Kjo e bën shtesën financiare një shkelje të qartë të Ligjit për Prokurimet Publike, pasi ndryshimi i vlerës së kontratës pas nënshkrimit të saj lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe me miratim të Këshillit të Ministrave.

Pavarësisht kësaj, Blendi Gonxhe ka dhënë miratimin për ta çuar kontratën në 8.5 milionë euro, nga 6.9 milionë që ishte më parë duke e rritur abuzimin e filluar nga Kumbaro në 4.6 milionë euro mbi koston faktike.

Njëkohësisht, Gonxhe ka zgjatur afatin e punimeve me tre muaj, për të justifikuar shtesën financiare dhe për të krijuar përshtypjen se projekti ka kërkuar “shpenzime shtesë”.

Në vend që të hetohet për abuzim me fondet publike, ministri që vetë ka qenë simbol i aferave të korrupsionit në Drejtorinë e Transportit, sot po përsërit të njëjtin model grabitjeje në një tjetër sektor strategjik.

Pyetja mbetet: a do të ndërhyjë SPAK-u, apo do të heshtë si gjithmonë për aferat e ministrave që mbahen nën ombrellën e Bablokut? Sepse nëse ka një rast të pastër korrupsioni institucional, ai është pikërisht ky, një tender i fryrë, një shtesë e paligjshme, dhe një ministër që e mban firmën mbi një vjedhje të re me letra në rregull./Pamfleti

blendi gonxhe mirela kumbaro shto ujë e shto miell

Lini një Përgjigje