TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Mars 2025, 12:55

Shkaktuan 277 mln lekë dëm, SPAK çon për gjykim kreun e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi dhe zv.kryetarin Kërrnaja

Shkruar nga Pamfleti

Shkaktuan 277 mln lekë dëm, SPAK çon për gjykim kreun e

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim kryetarin dhe zv.kryetarin e Bashkisë së Tropojës.

Rexhë Byberi (kryetari) dhe Abedin Kërrnaja (zv.kryetari) akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre” (më shumë se një herë), e kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, Byberi dhe Kërrnaja kanë shkelur rregullat ligjore gjatë procedurave për hapjen e rrugëve, duke shkaktuar një dëm prej mbi 277 milionë lekësh. SPAK konstaton se ata nuk kanë ndjekur procedurat e detyrueshme për miratimin e lejeve dhe koordinimin me institucionet përkatëse.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe Zv/Kryetarit të Bashkisë z. Abedin Kërrnaja, pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procedimit penal nr.1 të vitit 2024.

Të pandehurit janë akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” (më shumë se një herë), e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga të dhënat ka rezultuar se i pandehuri Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Konkretisht, për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar), për hapjen e një rrugë të re, subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh.

Konkretisht neni 15 i VKM nr. 408, datë 13.05.2015 ( e ndryshuar) ka saktësuar dokumentet tekniko-ligjore që duhen depozituar në sistemin e-leje gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje), për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 e VKM nr. 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar).

Lini një Përgjigje