
Shkarkohet nga detyra drejtoresha e spitalit të Librazhdit, Fatbardha Qatja. Vendimi është firmosur nga ministrja e Shëndetësisë, ndërkohë që nuk ka humbur kohë për të emëruar pasuesin e Qatjas në këtë funksion.
Drejtori i ri do të jetë Ermir Sulollari, i cili aktualisht mbante postin e nënkryetarit të bashkisë Librazhd.
Duket se shkarkimi nga detyra i Qatjas ka qenë i papritur dhe për pasojë ka sjellë edhe reagimin e saj në rrjetet sociale.
“Sot pa pritur dhe papandehur më vjen një shkresë në rrugë ” postare” ku kërkohej largimi im rrufe nga puna. As shkak, as arsye. Çudi, as një njoftim paraprak, dhe për më tepër as njoftim që do të bëhej shkarkimi.
Si në epokën e “qoftë largut”, ishte kjo maskaradë sot. Nuk është hataja se të përkohshëm jemi madje edhe jeta jonë e përkohshme është. Po përse bëhet ky shkarkim?! Nuk dua ta besoj që dikasteri ministror që unë kam punuar si institucion vartës me ta, të arrijë në këtë derexhe.
Është nënshkruar nga ministrja që më datë 28 shkurt dhe si ka mundësi që vrap e vrap ,posta e solli sot më dt.3 mars, që në 8 e 30 të mëngjesit?! A vetëm për mua paska punuar shërbimi postar në ditë pushimi?
E gjitha kjo ,meqë nga dt 3 mars, fillojnë pezullimet e lëvizjeve në administratë, posta vrap e vrap mbërriti te Spitali Librazhd.
Një heqje pa ekuivok besoj bëhet në shkeljet tejet të rënda. Dua të jem transparente. Unë nuk jam drejtor “kapadai” që në rrugë allishverishe, korruptive kam mbledhur “dhjamë” dhe nëse rri pa punë kam dhjamin për t’u djegur.
Unë nga shteti im vetëm rrogën kam marrë, asgjë tjetër. Meqë më hoqët urgjent nga puna, ku do të ushqehet fëmija im? Unë jam nënë para se të jem drejtuese apo punonjëse.
Ti si shtet, ku mendon se do të jem unë nesër?!Të më flakësh në rrugë? Ky është #EKZEKUTIM. Në emër të kujt? Dhe pse?!
Pse qenkam problem ?! Pse punoj? Pse nuk korruptohem? Pse zbatoj ligjin?! Çfarë mund të pres më pas kësaj? E gjitha për t’ iu bërë qejfi dikujt që e kam shkelur në kallo me drejtësinë time, me korrektësinë time duke zbatuar ligjin.
Përpos kësaj, mirënjohëse pafund stafit të Spitalit Librazhd& Prrenjas. E privilegjuar për 1 vit e 5 muaj, që kemi punuar dhe kemi ndarë çdo sfidë bashkë. Konsiderata për #JU meriton një status tjetër në një moment sa më të afërt”, shprehet ajo.
Lini një Përgjigje