
Afro 100 fëmijë nga mosha 0 deri në 18 vjeç marrin çdo vit diagnozën e një sëmundjeje tumorale në vend. Leuçemia akute përbën formën më të përhapur dhe zë rreth 30 për qind të rasteve. Pas saj renditen tumoret e sistemit nervor qendror dhe ato të veshkave.
Në kuadër të Ditës Botërore kundër Kancerit Pediatrik, mjekët theksojnë rëndësinë e identifikimit të hershëm të shenjave. Ata sqarojnë se shpesh simptomat ngatërrohen me sëmundje të tjera të zakonshme, çka vonon diagnostikimin dhe çon një pjesë të pacientëve drejt fazave të avancuara në momentin e paraqitjes në spital.
Specialistët evidentojnë edhe faktorë që lidhen me periudhën e shtatzënisë. Sipas tyre, mënyra e jetesës së nënës gjatë kësaj kohe ndikon në zhvillimin e foshnjës dhe mund të lidhet me shfaqjen e patologjive tumorale në moshë të hershme.
Në vend mungon një regjistër i plotë për kancerin pediatrik. Kjo situatë lidhet edhe me faktin që një numër familjesh zgjedhin të ndjekin trajtim jashtë vendit, duke kërkuar shërbime më të specializuara.
Onkohematologët në QSUT theksojnë se ndjekja e strukturuar dhe nisja e trajtimit pa vonesë rrisin ndjeshëm mundësitë për shërim. Ata kërkojnë bashkëpunim më të madh për evidentimin dhe trajtimin në kohë të rasteve.
Lini një Përgjigje