TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Shkurt 2026, 18:39

Përmbytjet në Bradashesh, Emergjencat Civile: Inertet e “Sallillarit” bllokuan kanalet

Shkruar nga Pamfleti

Përmbytjet në Bradashesh, Emergjencat Civile: Inertet e

Reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa banesa në Njësinë Administrative Bradashesh, pranë zonës së ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Situata ka rikthyer shqetësimin tek banorët, të cilët prej kohësh denoncojnë problematikat me sistemin e kullimit.

Sipas strukturave të Emergjencave Civile pranë Bashkisë Elbasan, përkeqësimi i situatës lidhet me bllokimin e kanaleve kulluese, që dyshohet të jenë mbushur me materiale inerte nga kompania “Sallillari”. Autoritetet bëjnë me dije se nuk është hera e parë që ngrihen akuza për ndërhyrje të papërshtatshme në sistemin kullues të zonës.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në përmbytje është edhe dalja nga shtrati e përroit të Kushës. Sipas të dhënave paraprake, përroi është mbushur me sasi të konsiderueshme inertesh, çka ka ulur kapacitetin e tij për të përballuar prurjet gjatë reshjeve intensive.

Banorët e zonës shprehen të revoltuar për "News 24" dhe kërkojnë pastrim të menjëhershëm të kanaleve dhe rikthimin e përroit në parametrat normalë, për të shmangur përsëritjen e përmbytjeve.

Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë nisur verifikimet në terren për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të ndërmarrë masa administrative apo ligjore ndaj subjekteve që mund të kenë kontribuar në situatën e krijuar. Paralelisht, po punohet për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese.

Lini një Përgjigje