
Parkime në rrethrrotullim, stacione autobusi të rrezikshme, mungesë sinjalistike dhe mosreagim i bashkisë. Banorët kanë nisur peticione, por institucionet heshtin...
Rrethrrotullimi i Selitës së Vogël është kthyer në nyjen më problematike të qarkullimit në Tiranë. Lavazhi që funksionon në mes të tij bllokon korsitë, parkimet spontane e paralizojnë trafikun, ndërsa mungesa e ndriçimit, vijave të bardha, korsive të qarta dhe stacioneve të sigurta e kthen zonën në një rrezik të përditshëm për banorët. Peticionet e Njësisë Administrative 13 janë injoruar, ndërsa bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë masë.
Selita e Vogël sot përfaqëson një nga dështimet më të qarta të planifikimit urban në Tiranë. Një zonë që po rritet me ritme të shpejta, por që vazhdon të trajtohet si periferi e harruar, pa infrastrukturë dhe pa vëmendjen që meriton. Rrethrrotullimi kryesor i saj, që duhet të lehtësonte qarkullimin, është kthyer në një pikë të zezë ku trafiku, rreziku dhe kaosi takohen çdo ditë.
Në çdo orë të ditës, automjetet ngecin në një rrjet rrugësh të papërfunduara dhe të papajisura me sinjalistikën më bazë. Nuk ka korsi të identifikuara, vijat e bardha mungojnë dhe drejtimi i qarkullimit është i paqartë. Ndriçimi është minimal, gjë që e rrit rrezikun në mbrëmje dhe sidomos gjatë stinës së dimrit. Në një zonë ku lëvizja e automjeteve, këmbësorëve dhe fëmijëve është shumë e dendur, mungesa e ndriçimit është një rrezik i drejtpërdrejtë.
Rrethrrotullimin nuk e bllokon vetëm trafiku. Në afërsi të tij funksionon një lavazh që, siç thonë banorët, ka marrë peng lëvizjen në gjithë zonën. Radhët e makinave që presin për shërbim zënë korsi të tëra dhe krijojnë një ngërç të vazhdueshëm. Parkimet spontane e përkeqësojnë situatën. Makina të parkuara në hyrje, dalje dhe madje edhe në vetë rrethrrotullimin e shndërrojnë lëvizjen në një improvizim të rrezikshëm.
Kjo situatë ka krijuar edhe pengesa të rënda për transportin publik. Autobusët shpesh nuk mund të afrohen te stacionet, sepse kthesat janë të bllokuara nga lavazhi, parkimet e paligjshme dhe mungesa e një pike të posaçme ndalimi. Në shumë raste, autobusët ndalojnë mes rruge duke detyruar pasagjerët të zbresin në zona të pasigurta, ku rreziku për fëmijët është shumë i prekshëm. Stacionet nuk kanë platforma, nuk kanë trotuare të sigurta dhe nuk kanë asnjë infrastrukturë mbrojtëse.
Banorët e Njësisë Administrative 13 kanë bërë disa peticione, kanë kërkuar ndërhyrje të bashkisë dhe kanë ngritur shqetësimet e tyre zyrtarisht. Por deri sot nuk ka asnjë përgjigje. Asnjë projekt për zgjidhje afatshkurtër, asnjë plan për sinjalistikë, asnjë masë për ndriçim, asnjë vendim për largimin e lavazhit.
Ndërkohë Selita e Vogël vazhdon të ndërtohet, banorët shtohen dhe trafiku rritet. Por infrastruktura mbetet e njëjtë, e amortizuar dhe pa standard. Lagjja nuk ka plan funksional, nuk ka rregulla të qarta qarkullimi dhe nuk ka kontroll të hapësirës publike. Ajo që duhet të ishte rrugë e qetë banimi, është kthyer në një nyje të rrezikshme që po kyç zhvillimin e zonës.
Selita e Vogël nuk ka nevojë për premtime të mëdha, por për ndërhyrje të thjeshta dhe të menjëhershme. Për vijëzim, sinjalistikë, korsi, ndriçim, rregullim të stacioneve dhe lirimin e hapësirës së rrethrrotullimit nga pengesat.
Ky është një test i qartë për bashkinë. O reagon, o i braktis përfundimisht banorët që përditë përballen me kaos, rrezik dhe mungesë të plotë të infrastrukturës bazë./Pamfleti






Pse vetem selita e vogel? Te duket mire ty pjesa tjeter? E shkaterruan kete qytet. Merite 100% e Rames. Bravo. Vetem ti mund ta shkerdheje keshtu kryeqytetin!
AKOMA ME KEQ ESHTE LINJA E LEVIZJES SE AUTOBUZVE. AUTOBUZI VJEN MBAS 45 MINUTAVE DHE QYETARET NE VAPE APO NE SHI PRESIN NE STACIONE.SHKOJNE VONE NE PUNE APO NUK ZGJIDHIN DOT NE KOHE PROBLEMET.KA 5 VJET QE NJOFTOHET BASHKIA QE KA BERE KONTRATE ME NJE FIRME ANONIME. DEPUTETIA ISH MINISTRIA DENAJ PREMTOI ZGJIDHJE.MORI VOTAT DHE I MASHTROI.NJESIA 13 FLE GJUME.POPULL I BRAKTISUR QE I MALLKON CDO DITE NE STACIONET E AUTOBUZVE POR JO TRIM TE NGRIHET DHE TI SHKATERROJE NE ZYRAT QE I PAGUAN ME GJAKUN E TIJ.