
Një situatë e rënduar infrastrukturore është krijuar në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, në Dragostunjë të Librazhdit, ku brenda pak ditësh rrëshqitjet masive të tokës kanë prekur tre nyje kyçe: rrugën kombëtare, linjën hekurudhore dhe rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike.
Fillimisht u raportua dëmtimi i segmentit rrugor në aksin Librazhd–Prrenjas, si dhe në segmentin Qukës–Qafë Plloçë. Po ashtu, është konstatuar dëmtim i bazamentit të një shtylle të tensionit të lartë. Situata u përkeqësua më tej me shkatërrimin e një pjese të linjës hekurudhore Elbasan–Librazhd–Përrenjas–Gur i Kuq.
Sipas të dhënave paraprake, fundosja dhe zhvendosja e konsiderueshme e tokës ka dëmtuar rëndë bazamentin e hekurudhës në segmentin Librazhd–Xhyrë. Kjo pjesë e trasesë, e cila kalon paralel me rrugën automobilistike dhe lumin Shkumbin, rezulton aktualisht jashtë funksionit.
Strukturat mbajtëse janë dëmtuar, ndërsa shinat paraqiten të deformuara dhe të zhvendosura. Autoritetet hekurudhore pritet të kryejnë një vlerësim të plotë teknik për ndërhyrjet e nevojshme.
Paralelisht, është dëmtuar edhe shtylla nr. 15 e linjës 110 kV, një element i rëndësishëm i furnizimit me energji për zonën. Zhvendosja e bazamentit të saj konsiderohet me risk për stabilitetin e rrjetit, ndërsa specialistët e operatorit të transmetimit po monitorojnë nga afër situatën për të shmangur ndërprerje apo pasoja të tjera.
Rrëshqitjet e dheut kanë përfshirë një segment të rëndësishëm të korridorit që lidh disa pika strategjike në qarkun e Elbasanit dhe më gjerë. Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrjet do të kërkojnë kohë, investime dhe studime të detajuara gjeologjike, pasi zona rezulton me lëvizje aktive të tokës.
Ndërkohë, banorët dhe bizneset lokale raportojnë pasoja ekonomike dhe vështirësi në lëvizje, ndërsa “Arrat e Gurrës” është kthyer në një pikë kritike për qëndrueshmërinë e infrastrukturës në një nga akset më të rëndësishme lidhëse të vendit.
Lini një Përgjigje