Policia e Ilir Prodës vijon represionin ndaj banorëve të Rrjollit që kundërshtojnë ndërtimin e një resort inga Bashkim Ulaj, me pretendimin se po u rrëmbëhen tokat përmes një procesi falsifikimesh.
Policë me skafandra dhe mburoja kanë dhunuar banorët, teksa vijojnë protestat.
Nga raportimet mësohet se një 60-vjeçar, i identifikuar si Prekë Molla është arrestuar nga policia, ndërsa janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë të moshës nga 20 deri në 40 vjeç, me dyshimet se kanë penguar punonjësit dhe mjetet e ‘Gener2’ për të vijuar punën.
Policia njofton se hetimet janë në vijim, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e të gjithë personave të përfshirë, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ndërsa banorët i janë drejtuar me një thirrje Albana Koçiut, ministres së Brendshme, që të mos dërgojë forca policore kundër qytetarëve dhe në mbrojtje të Bashkim Ulajt.
Ata janë zotuar të mbrojnë me çdo kusht tokën dhe të mos lejojnë grabitjen e pronës nga Ulaj.
“Albana Koçiu ka sjellë policinë për të mbrojtur Bashkim Ulajn. Ministrja ka sjellë gjithë policët këtu për të mbrojtur Bashkim Ulajn nga banorët që po u vidhen tokat.
Bashkim Ulaj me Isuf Çelën na kanë thënë vetë se ‘nuk duam të vijmë si pushtues, por si zhvillues’. Çfarë je duke bërë sot Bashkim Ulaj, përveçse ke ardhur për të na pushtuar? A je duke bërë gjë tjetër?
Serbi e turku nuk na e ka bërë këtë gjë, të na vjedhin tokën. Ti po e bën sepse ke shtetin mbrapa. Por edhe ne jemi të fortë, sepse jemi me të drejtën e Zotit dhe e drejta gjithmonë triumfon.
Dje kanë bërë shoqërime. Prekën e kemi ende të shoqëruar. Njërit prej djemve që tentuan ta marrin me forcë i ra të fikët. U turrën tërë policat. Këta policat më kanë rrëzuar mua që jam femër. Kanë ardhur këta tani të mbrojnë Bashkim Ulajn dhe të na përdhunojnë ne në tokën tonë”, tha një prej banoreve të Rrjollit.
Banorët kërkojnë nga ministrja e Brendshme që të mos vendosë Policinë e Shtetit në shërbim të Bashkim Ulajt, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzimin e veprimeve nëse nuk merren seriozisht.
Lini një Përgjigje