TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Shkurt 2026, 08:44

Pse Policisë së Ilir Prodës i intereson një përplasje e fortë me demonstruesit?

Shkruar nga Pamfleti
Pse Policisë së Ilir Prodës i intereson një përplasje e
Policia në protestë

Dhe kur policia i përgjigjet protestave me gaz lotsjellës, ujë me presion apo bomba shurdhuese, pa përfshirë këtu, përdorimin e policëve me shkopinj e skafandra, apo civilëve që gjurmojnë ‘gjahun’ e vetmuar për të plotësuar numrin e të ndaluarve, mesazhi është i qartë: të ngjallë frikë...

Opozita ka zhvilluar 3 protesta kombëtare në harkun kohor të pothuajse një muaji, ndërsa protesta e rradhës është paralajmëruar se do të mbahet më 28 shkurt. Ajo që ka karakterizuar 3 protestat e para është një përshkallëzim i përplasjes mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa kjo e fundit ka përdorur mjetet në mënyrë jo proporcionale për të shpërndarë turmat.

Kjo u vu re veçanërisht në protestën e fundit, atë të 20 shkurtit, kur forcat e rendit të drejtuara nga Ilir Proda nuk duruan gjatë dhe menjëherë vunë në përdorim mjetet për shpërndarje turmash. Madje limitet u tejkaluan kur u tentua një rrethim policor i selisë së PD-së me synim kapjen e demonstruesve që gjetën si shpëtim strehimin në oborrin e ish-SHQUP-it apo godinën e partisë më të madhe opozitare. Por jo vetëm, në një mënyrë krejt jo-profesionale, gazi lotsjellës i policisë së Prodës pushtoi edhe xhaminë e Namazgjasë, aty ku ndodheshin qindra e qindra besimtarë që kryenin ritet e faljes në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Xhamia u pushtua nga gazi, besimtarët u kapën të papërgatitur, ndërsa justifikimi i dhënë nga Policia ishte se në kultin fetar ishin strehuar demonstrues nga ku hidhin molotovët në drejtim të forcave të rendit. Pavarësisht këtyre dyshimeve, policia e Prodës ra në kurth, duke sulmuar besimtarë që nuk kishin asnjë lidhje me protestën, molotovët, fishekzjarrët apo çdo veprim tjetër që mund të rrezikonte policë me apo pa uniformë, me kapuçë të zinj apo pa to, që vërdalliseshin për të kapur “gjahun”, në rastin konkret protestues.

Policia po reagon pothuajse në të njëjtën mënyrë, duke shtuar dozën e kundërveprimit, me pretendimet se nuk mund të lejojë që t’u rrezikohet jeta punonjësve të rendit nga demonstruesit. Dhe këtu nuk mendohen gjatë, harrojnë se në zonën ku hedhin gazin me shumicë janë me qindra e qindra banesa, që përsa kohë zhvillohet përplasja, kthehen në të pabanueshme, për shkak të toksinave të dendura që përhapen me shpejtësi.

Në të tre protestat e zhvilluara deri më tani ajo që është fakt është se përballë protestuesve vendosen kordone të shumta policie, mjete speciale, paralajmërime kërcënuese dhe një gatishmëri e dukshme për konfrontim. Gjithçka bazohet në një plan masash që hartohet paraprakisht dhe ku duket se nuk respektohen ato shkallët e reagimit apo proporcionaliteti.

Nën drejtimin e Ilir Proda, Policia e Shtetit akuzohet jo thjesht për ashpërsi, por për një strategji force që e trajton protestën si armik, jo si një e drejtë demokratike.

Pse Policisë së Ilir Prodës i intereson një përplasje e
Policia në aksion ndaj protestuesve

Dhe kur policia i përgjigjet protestave me gaz lotsjellës, ujë me presion apo bomba shurdhuese, pa përfshirë këtu, përdorimin e policëve me shkopinj e skafandra, apo civilëve që gjurmojnë ‘gjahun’ e vetmuar për të plotësuar numrin e të ndaluarve, mesazhi është i qartë: të ngjallë frikë.

Një polici që pozicionohet si në një operacion kundër rrezikut të brendshëm, në vend që të garantojë tubimin paqësor, krijon klimë përplasjeje të qëllimshme. Tensioni nuk lind rastësisht; ai ushqehet nga mënyra se si menaxhohet protesta.

Përdorimi i forcës si përgjigje e parë dhe jo si mjet i fundit e delegjitimon jo thjesht atë policin që vepron si robot, por të gjithë strukturën që sot drejtohet nga Ilir Proda.

Në një demokraci të vërtetë, policia duhet të jetë mbi palët. Por kur veprimet e saj duken të sinkronizuara me interesat e pushtetit, lind dyshimi se rendi publik po përdoret si justifikim për të frenuar kundërshtimin.

Një shtet i sigurt nuk ka frikë nga protesta; një shtet i pasigurt e sheh atë si kërcënim.

Nëse vazhdon kjo qasje konfrontuese, pasojat nuk janë vetëm disa përplasje në rrugë. Pasoja është radikalizimi i qëndrimeve, që sikundër u paralajmërua më 20 shkurt, mund të aplikohet që në protestën e 28 shkurtit.

Dhe kjo është shumë më e rrezikshme sesa çdo protestë. /Pamfleti/

ilir proda policia demonstrata

Lini një Përgjigje