
Një operacion i koordinuar mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe Forcave të Armatosura bëri të mundur shpëtimin e 22 vjeçarit Xhuljano Kaloti, i cili mbeti i bllokuar në ujërat e lumit Osum gjatë kërkimeve për një 42 vjeçar të zhdukur.
Burime nga terreni konfirmojnë se i riu ndodhet në gjendje të stabilizuar shëndetësore, është i vetëdijshëm dhe po merr asistencë mjekësore.
Banorë të zonës së Skraparit raportojnë se ngjarja ndodhi gjatë lundrimit me kanoe. Rrjedha e fortë e lumit përmbysi njërën prej gomoneve. Kaloti ngeci mes shkëmbinjve në zonën e quajtur “Ngushtica e tretë”, pranë hyrjes së një shpelle.
Autoritetet vijojnë kërkimet për 42 vjeçarin Ilir Kurti. Dyshimet paraprake tregojnë se rrjedha e lumit mund ta ketë marrë me vete.
Kanioni i Osumit shtrihet në një gjatësi rreth 12 kilometra dhe arrin thellësi deri në 90 metra. Prurjet e larta e rrisin ndjeshëm rrezikun. Ndërhyrjet nga persona pa trajnim për operacione shpëtimi në këto kushte përbëjnë risk të lartë për jetën.
Lini një Përgjigje