Një situatë e rrezikshme është shfaqur pas zhvendosjes dhe fundosjes së bazamentit të shtyllës së tensionit të lartë 110 kV, nr. 15, që lidh HEC Egnatia me nënstacionin e Librazhdit.
Problemi u identifikua si pasojë e lëvizjeve të tokës në zonë, duke ngritur alarmin për sigurinë e linjës së transmetimit të energjisë.
Specialistët e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen ende në vendngjarje, ku po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po vlerësojnë stabilitetin e strukturës metalike.
Paralelisht, gjeologë të specializuar po bëjnë vlerësime teknike të terrenit për të përcaktuar shkaqet e zhvendosjes dhe rrezikun e mundshëm për përkeqësim të mëtejshëm.
Burime nga terreni bëjnë me dije se po shqyrtohet një masë emergjente për rritjen e sigurisë, e cila përfshin përforcimin e bazamentit dhe stabilizimin e shtyllës përmes lidhjes me kabuj çeliku, me qëllim shmangien e shembjes ose ndërprerjes së furnizimit me energji.
Autoritetet nënvizojnë se linja aktualisht mbahet nën kontroll teknik të plotë, ndërsa çdo ndërhyrje do të kryhet me prioritet maksimal për të garantuar sigurinë e rrjetit dhe furnizimin e qëndrueshëm me energji në zonë.
Lini një Përgjigje