
Kandidati i koalicionit, “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri ka mbërritur këtë të shtunë në ambientet e gjykatës së Vlorës, ku pritet të njihet me masën e sigurisë.
Në sallën ku pritet të jepet vendimi, janë të pranishëm ambasadorja greke në Tiranë Kostantina Kamitsi, si dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule.
Arrestimi i Belerit ka ngjallur interesin e mediave greke, ku gazetarët e kanalit Alfa kanë mbërritur në ambientet e jashtme të gjykatës së Vlorës.
Seanca është shtyrë me 30 minuta nga ora 11:15 që ishte parashikuar dhe mësohet se Prokuroria pritet që të kërkojë ‘arrest me burg’ për Fredi Belerin. Po ashtu pritet që ditën e sotme gjykata e Vlorës të shpallë moskompetencën për të vijuar hetimet Prokuroria e Vlorës.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u arrestua gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes, pasi akuzohet për blerje votash. Beleri ndodhej në ambientet e restorantit të tij në Himarë kur u shoqërua ne polici.
Ai u shoqërua nga efektivë të prokurorisë së Vlorës dhe më pas u transferua në komisariatin e qytetit bregdetar. Bashkë me Belerin u shoqëruan dhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve bën pjesë në shtabin e Fredi Belerit. Personi në fjalë vuante nga problemet e zemrës, dhe disa orë pas shoqërimit të tij në polici është thirrur ambulanca që e ka marrë dhe e ka transferuar drejt spitalit pasi ka shfaqur probleme.
Pas tre orësh nga shoqërimi u lirua avokati personal i Fredi Belerit si dhe njëri prej të shoqëruarve. Në fletën e arrestit të lëshuar ndaj Belerit theksohet se ai u ndalua në flagrancë duke blerë vota.
Sakaq, Fredi Beleri ka kërkuar ndihmë mjekësore. Mësohet se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka kërkuar mjekim me argumentin se vuan nga diabeti.
Lini një Përgjigje