
Reshje të dendura bore kanë rënë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit në zonat malore të qarkut Shkodër.
Situata më problematike paraqitet në akset Bogë-Qafë Thore-Theth, ku po vijon puna për hapjen e rrugës dhe kriposjen e saj.
Më shqetësuese mbetet pika e Qafë Thorës, në rreth 1700 metra mbi nivelin e detit, ku era e fortë dhe temperaturat e ulëta favorizojnë krijimin e ngricave dhe grumbujve të borës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) u bën apel drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë.
Ndërkohë, në akset Koplik-Bogë dhe Dedaj-Razëm ka reshje shiu dhe rënie gurësh, ndërsa në aksin Tamarë-Vermosh raportohen reshje shiu të përziera me borë.
Autoritetet këshillojnë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave rrugore.
Lini një Përgjigje