
Në disa zona priten shtrëngata, ndërsa në zonat malore rikthehet bora
Shqipëria do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme gjatë ditës së martë, 21 prill, sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin. Reshjet e shiut do të nisin në orët e mëngjesit në zonat veriore dhe qendrore, me intensitet të ulët, për t’u shtrirë gradualisht në të gjithë vendin gjatë ditës.
Në orët e mesditës dhe pasdites, veçanërisht në veriperëndim dhe perëndim, reshjet pritet të fitojnë intensitet deri mesatar. Sipas të dhënave, në disa raste ato do të shoqërohen me shtrëngata, shkarkesa elektrike dhe lokalisht edhe breshër.
Në zonat malore, kryesisht në Alpe dhe relievet e larta, parashikohen reshje bore me intensitet të ulët.
Temperaturat minimale dhe maksimale pritet të luhaten nga 8°C në zonat malore deri në 24°C në zonat më të ngrohta si Berati dhe Fieri. Në Tiranë dhe Durrës temperaturat maksimale do të arrijnë rreth 22°C, ndërsa në Korçë dhe Gjirokastër do të jenë më të ulëta, përkatësisht rreth 18°C dhe 22°C.


Era do të fryjë me drejtim nga juglindja në jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 6 m/s. Në zonat bregdetare dhe luginore, ajo pritet të forcohet herë pas here deri në 14 m/s.
Sa i përket kushteve detare, valëzimi në detin Adriatik dhe Jon parashikohet i forcës 2-3 ballë.
Lini një Përgjigje