
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur lidhur me zhvillimet politike në vend dhe protestën e tij disa javore përpara Kryeministrisë.
Lapaj zbuloi se i është ofruar një post i lartë qeveritar nga kryeministri Edi Rama, ofertë të cilën ai thotë se e ka refuzuar. Sipas tij, në datën 30 qershor dhe gjatë javës së dytë të korrikut, kryeministri Rama i ka bërë dy herë ofertë për t’u bashkuar me qeverinë.
“Më është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe dy ministri, njëra prej tyre Ministria e Bujqësisë. Këtë nuk e mohojnë dot, le të dalë ta mohojë”, tha ai për “News 24”.
Lapaj theksoi se oferta është paraqitur si pjesë e tezës për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë, me qëllim përshpejtimin e integrimit evropian dhe për të krijuar, sipas tij, “nuanca demokratike”, duke përfshirë të rinjtë në politikë dhe në strukturat qeverisëse.
Megjithatë, kreu i “Shqipëria Bëhet” deklaroi se pranimi i një oferte të tillë do të përbënte tradhti ndaj idealeve që përfaqëson.
“Nëse do të shkoja atje, do të tradhtoja idealet e mia. Nuk do të mund t’i shihja prindërit e mi në sy”, u shpreh Lapaj, duke shtuar se një vendim i tillë do ta vinte përballë një zhgënjimi personal dhe moral.
Kreu i “Shqipëria Bëhet” tha se, qëllimi i vërtetë i kësaj oferte ishte politikisht i kalkuluar.
“Pas gjashtë muajsh do të ishim hedhur jashtë. Qëllimi ishte të na digjnin politikisht dhe të na nxirrnin jashtë”, deklaroi Lapaj, duke e cilësuar ofertën si një tentativë për neutralizimin e lëvizjes së tij dhe dobësimin e opozitës së re.
Lini një Përgjigje