Lideri i opozitës, Sali Berisha, zhvilloi mesditën e kësaj të shtune një bashkëbisedim me qytetarët përmes rrjeteve sociale, ku ndau qëndrimet e tij mbi protestat që po zhvillohen brenda dhe jashtë vendit.
Në nisje të komunikimit, Berisha shprehu mbështetjen për qytetarët që janë ngritur në protestë kundër qeverisë së Edi Ramës. Ai u ndal te tubimet e zhvilluara në Shqipëri dhe në disa vende të Europës, si edhe në Shtetet e Bashkuara.
Berisha tha se zëri i protestës është dëgjuar tashmë në metropole të ndryshme europiane dhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa dënoi ashpër krahasimet që, Rama ka bërë mes protestuesve dhe falangave naziste.
“Së pari, një përshëndetje të përzemërt të gjithë qytetarëve shqiptarë në protestë kundër narkokraturës kleptokratike të Edi Ramës.
Dje, Evropa dhe botë dëgjoi më fuqishëm se kurrë zërin e shqiptarëve jo vetëm në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, por dhe në metropolet kryesore të Evropës dhe sot në SHBA shqiptarët protestojnë pranë përfaqësive të narkokratit Edi Rama.
Unë gjithashtu dua të dënoj me forcën më të madhe krahasimin që Edi Rama u bëri protestuesve me falangat e Hitlerit.
Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë.
Dje, në përçartjet e tij, ai u rrek të krahasojë të pavdekshmin, luftëtarin e lirisë, Mithat Frashëri me Adolf Hitlerin, barbarin e kohërave për fajin e vetëm se ata protestuesit përdorin një slogan të mirënjohur të Mithat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar, projekti i të cilit për Shqipërinë ishte projekti më madhështor i kohës.
Të krahasosh sloganin e Mithat Frashërit ‘Shqipëria, shqiptarëve’, me sloganin e Adolf Hitlerit se ky vend është vetëm i juaji, me të cilin ai organizoi Holokaustin, krimin e njerëzimit më të shëmtuar të kohërave, do të thotë të jesh i çmendur, do të thotë të kesh humbur çdo sens nga realiteti yt.
Edi Rama është tashmë i damkosur si kurrë më parë para shqiptarëve dhe botës.
Deklaron në mediat më të mëdha të botës me paturpësinë më të madhe se jemi në një luftë hibride duke aluduar kështu se Greqia apo ndonjë vend tjetër po bën gjithçka për të bllokuar investimet dhe turizmin, një idiotësi e pashoqe.
Greqia, e cila ka mbi 3 mijë kilometra brigje, dhe ka brigjet më të bukura dhe ujërat të përshtatshme, paska problem të madh se në Shqipëri u investokan 2 apo 3 miliardë euro.
Është pikërisht psikologjia e trashëguar e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, për armikun e brendshëm dhe të jashtëm, e atit të tij biologjik që firmoste varjen në litar të Havzi Nelës si kundërshtar politik, ajo që e shtyn Ramaduron t’u vendosë epitete nga më të ndryshme dhe mediat e tij", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje