TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Janar 2025, 18:59

Rajmonda Balilaj i shpëton burgut, GJKKO dënon me shërbim prove ish-kryebashkiaken e Patosit

Shkruar nga Pamfleti

Rajmonda Balilaj i shpëton burgut, GJKKO dënon me shërbim prove

GJKKO ka dënuar me shërbim prove ish-kryebashkiaken e Patosit Rajmonda Balilaj.

Ish kryetarja e Bashkisë së Patosit Rajmonda Balilaj i ka shpëtuar burgut duke u dënuar përfundimisht me shërbim prove. GJKKO ka dhënë vendimin duke e dënuar ish-kryebashkiaken me 1 vit e 4 muaj burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Dënimi i ish-kryebashkiakes është konvertuar në 2 vjet e 8 muaj në shërbim prove. Gjithashtu janë dënuar edhe shtetasit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj.

Nga hetimi i procedurës së prokurimit për ndërtimin e një muri mbajtës në rrugën Dukas-Breg në territorin e Bashkisë Patos, rezulton se Rajmonda Balilaj në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Sipas SPAK, ata kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”. Prej hetimeve ka rezultuar se, nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit e parë, duhej të ishte shpallur fitues një tjetër kompani, që përveçse përmbushte kushtet, kishte dhe ofertë në vlerën 1,5 milion lekë më të vogël se operatori ekonomik “Genti 001”.

Ndërkohë, tre anëtarët e grupit të punës të ngritur nga Balilaj në prill të vitit 2021, të pandehurit Boreta Murati, Arben Manoku dhe Vangjel Nushi, akuzohen për falsifikim, pasi në raportin teknik të inspektimit të kryer nga ana e tyre për ndërtimin e mureve mbajtëse, kanë paraqitur rrethana të rreme, që janë rrëzuar nga akti i ekspertimit të SPAK.

Situatë e njëjtë është konstatuar dhe për një tender tjetër, po për ndërtim të një muri mbajtës në rrugën e fshatit Rruzhdie. Punimet që janë kryer nga e njëjta kompani, janë promovuar në një televizion lokal 10 ditë përpara se ky operator ekonomik të shpallej fitues dhe të lidhte kontratën me Bashkinë Patos.

Sipas SPAK, Balilaj, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj në urdhërin përkatës, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se operatori ekonomik “Genti 001”, nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin e për rrjedhojë duhej skualifikuar.

Njoftimi i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale në ngarkim të
të pandehurve: Rajmonda Balilaj, Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në
tendera” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258-25 të Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Erjon Çela dhe Irena Gjoka, me vendimin Nr. 6, datë 15.01.2025 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurës Rajmonda Balilaj, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021,
datë 23.3.2021) dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e saj 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

• Deklarimin fajtor të të pandehurës Rajmonda Balilaj, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021,
datë 23.3.2021) dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e saj me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

• Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi 1 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurës Rajmonda Balilaj me një dënim të vetëm prej 2 (dy) vjetësh burgim.

• Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Proçedurës Penale, të pandehurës Rajmonda Balilaj, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.

• Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën Rajmonda Balilaj, dhe vënien e saj në provë për një periudhë prej 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj, me kusht që e pandehura gjatë periudhës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e saj. Afati i provës fillon nga e nesërmja e shpalljes së vendimit për pezullimin e dënimit me burgim.

Lini një Përgjigje