Në pikën kufitare të Kapshticës janë krijuar radhë të gjata automjetesh për shkak të vonesave në procedurat e kalimit nga pala greke.
Kjo pikë kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë është ndër më të ngarkuarat. Fluks i lartë regjistrohet zakonisht gjatë sezonit veror, por këtë herë vonesat lidhen me përpunimin e ngadaltë në anën greke.
Sipas udhëtarëve, pala shqiptare po i kryen procedurat normalisht. Problemi paraqitet në anën greke, ku pritja varion nga një deri në dy orë. Ata thonë se kjo situatë vazhdon prej kohësh.
Udhëtarët raportojnë gjithashtu se pala greke po u jep përparësi shtetasve të saj, ndërsa shtetasit shqiptarë dhe të huajt mbeten më gjatë në pritje.
Sipas tyre, vonesat lidhen edhe me sistemin e ri të hyrje-daljeve në Bashkimin Europian, i cili po aplikohet prej tre muajsh. Me këtë sistem nuk po zbatohen procedura të shpejta për qytetarët shqiptarë dhe të huaj, ndërsa kalimi rezulton më i lehtë vetëm për personat me dokumente greke.
Si pasojë, në Kapshticë po krijohen radhë të gjata dhe pritja mbetet problem për udhëtarët që kalojnë në këtë pikë kufitare.
Lini një Përgjigje