Prej më shumë se një jave aksi Tiranë-Elbasan është kthyer në makth për shoferët. Në dalje të autostradës janë krijuar radhë kilometrike, duke bërë që shoferët të rrinë deri në afro 2 orë në radhë. Edhe sot ka vijuar e njëjta situatë, madje që në orët e para të mëngjesit.
Vetëm sot Policia Rrugore e Elbasanit është kujtuar të reagojë. Ajo u kërkon shoferëve të jenë të duruar.
“Policia Rrugore e Elbasanit, në gatishmëri të plotë për të lehtësuar qarkullimin për shkak të fluksit
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur gatishmërinë 100% në terren, si dhe kanë shtuar vigjilencën, me qëllim menaxhimin e trafikut, për shkak të fluksit të mjeteve që kthehen në drejtim të Tiranës, si edhe ata që lëvizin në drejtim të Korçës dhe bregdetit, kryesisht në akset “Qafë thanë-Elbasan dhe “Rrogozhinë-Elbasan”.
Gjithashtu, në terren, në mbështetje të Policisë Rrugore janë të angazhuar edhe shërbimet e Rendit Publik dhe ato të forcës Shqiponja të DVP Elbasan, për sigurinë rrugore dhe për të garantuar se nuk do të ketë bllokim të lëvizjes.
Drejtuesit e automjeteve të moderojnë shpejtësinë, të tregojnë durim, të qëndrojnë në radhë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara, që të mos kthehen në burim për aksidente rrugore apo për bllokim të lëvizjes.
Qytetarët të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, njofton Policia Rrugore.
Lini një Përgjigje