Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë ka reaguar lidhur me zjarrin e rënë në një kompleks pallatesh pranë QSUT-së në Tiranë, duke bërë të ditur se situata është vënë nën kontroll, por ende nuk është shuar plotësisht.
Sipas njoftimit zyrtar, zona vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve, ndërsa strukturat përgjegjëse po kryejnë kontrolle në çdo apartament për të evidentuar persona të lënduar apo të bllokuar.
Si pasojë e incidentit janë lënduar 6 efektivë zjarrfikës dhe 2 qytetarë, të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor. Konkretisht, tre zjarrfikës kanë pësuar djegie të shkallës së dytë, dy të tjerë kanë shfaqur simptoma asfiksie, ndërsa dy qytetarë janë evakuuar nga objekti dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.
Në operacionin për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 70 forca zjarrfikëse me 15 mjete, 50 forca policore, si dhe struktura të tjera mbështetëse, përfshirë urgjencën mjekësore, UKT-në, forcat bashkiake dhe vullnetarë.
Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 44 efektivë, 6 mjete zjarrfikëse, një helikopter Cougar, një autoambulancë dhe një mjet tip Land Rover të pajisur me oksigjen.
Sipas AMI-së, shërbimi mjekësor i Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me strukturat vullnetare të emergjencave civile, është angazhuar që në fazën fillestare të operacionit, duke ofruar ndihmën e parë dhe transportin e të lënduarve drejt spitalit.
Operacioni vijon, ndërsa autoritetet mbeten në terren deri në eliminimin e plotë të rrezikut dhe normalizimin e situatës.
Lini një Përgjigje