
Batërdia e "Bankers Petroleum" vijon prej 20 vitesh...
Policia zhvilloi dje një aksion të bujshëm te zyrat e Bankers Petroleum, duke arrestuar kreun e saj dhe disa zyrtarë. Prokuroria e Fierit akuzon kompaninë për evazion fiskal dhe pastrim parash, pasi sipas saj, ka 20 vite që deklaron se del me humbje dhe kjo bëhet për të shmangur detyrimet tatimore.
Pyetja që lind natyrshëm është: kur Bankers paska 20 vite që bën afera, pse u kujtua tani drejtësia? “Pamfleti”, por edhe shumë media të tjera, e kanë denoncuar me dhjetëra herë aferën e Bankers, por vetëm shteti nuk e shihte. Vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë disa auditime dhe ka zbuluar pafund shkelje. Madje që në vitin 2017, KLSH ngriti alarmin se Bankers kishte në atë kohë 12 vite që dilte me humbje dhe kjo ishte skandaloze.
“KLSH është e shqetësuar për mungesën e fitimit të shtetit shqiptar nga marrëveshja hidrokarbure në fazë prodhimi për fushën naftë-nxjerrëse të Patos-Marinzës. Kjo pasi, nga auditimet e rregullshmërisë në AKBN dhe Albpetrol Sh.A. gjatë 4-5 viteve të fundit, ka rezultuar se faktori R është më i vogël se 1 (raporti i shpenzimeve të kryera me të ardhurat e realizuara nga shitja e naftës bruto), duke shfaqur dhe performancën e dobët të veprimtarisë së tyre në këtë drejtim”, shprehej KLSH në 2017.
Në një tjetër raport, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton manovrat e Bankers për të fryrë dhe rritur shpenzimet, me qëllim për të mos paguar taksat. Gjatë auditimit të Albpetrol për vitet 2021-2022, KLSH ka konstatuar se Bankers, në vitin 2020, ka llogaritur si shpenzim kosto hidrokarbure 2.9 milionë USD, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure.
Bankers Petroleum ka manipuluar çdo vit shpenzimet, duke sajuar dhe fryrë ato. Pas 20 vitesh, shpenzimet janë rreth 4 miliardë euro, pra me “humbje”. Madje qeveria pezulloi një gjobë prej 104 milionë euro ndaj Bankers. Po ashtu, Agjencia e Burimeve Natyrore ka bërë shumë auditime dhe ka zbuluar shumë shkelje. AKBN është organ shtetëror. Pra, faktet kanë qenë aty dhe askush nuk lëvizi.
Ndërkohë, aksioni vjen pas disa muajsh hetimesh, të cilat duket se kanë nisur pas një mesazhi që amerikanët i dërguan Edi Ramës në fund të vitit që lamë pas. Në një takim të mbajtur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, e dërguara e SHBA, Nancy VanHorn, kërkoi të shmangen kompanitë që mund të jenë kërcënim për interesat e Shqipërisë.
“Ambasada e mbështet legjislacionin për shqyrtimin e investimeve. Të shmangim investimet që nuk janë në përputhje me interesat shqiptare apo që sjellin rreziqe. Gjatë rrugës, ju bashkohuni vendeve të BE që kanë caktuar hallka për verifikimin e investimeve”, tha ajo në atë kohë.
Mesazhi u pa si sinjal për distancim nga kinezët. Mos vallë tani Rama po tenton të bëjë për vete amerikanët? /Pamfleti
Lini një Përgjigje