TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2025, 21:00

Mjerimi i shëndetësisë shqiptare: Në QSUT, nëna bëhet ventilator për fëmijën e saj

Shkruar nga Pamfleti

Mjerimi i shëndetësisë shqiptare: Në QSUT, nëna

Në vend që të marrë trajtim dhe kujdes, një fëmijë i shtruar në Spitalin Pediatrik të QSUT detyrohet të freskohet me ventilator portativ. Ky është realiteti tronditës që ka dokumentuar gazetari Osman Stafa në një postim në Facebook, duke ekspozuar mungesën ekstreme të kushteve në një prej spitaleve më të mëdha të vendit.

Temperaturat mbi 38°C dhe ambientet e tejmbushura, pa ventilim dhe pa ajrim të duhur, po kthehen në torturë për pacientët, sidomos për fëmijët dhe nënat që qëndrojnë pranë tyre. Në vend të përkujdesjes, spitalet ofrojnë vuajtje dhe poshtërim.

Është turp. Është dështim. Është dhunë ndaj fëmijëve tanë”, shkruan gazetari Stafa, duke ngritur një alarm publik mbi gjendjen katastrofike të infrastrukturës spitalore. Ai akuzon drejt për drejt politikanët që shfaqen me buzëqeshje e tapete të kuqe para spitaleve, por lënë prindërit të bëjnë ventilatorin e fëmijëve me dorë.

Në vend të investimeve reale, propagandë dhe fasada. Në vend të shërbimeve, beton dhe shoë. Nëse një nënë duhet të mbajë një ventilator me dorë për të freskuar fëmijën e saj në vitin 2025, atëherë sistemi shëndetësor shqiptar është në agoni.

Postimi i plotë i gazetarit:

Në QSUT, nëna bëhet ventilator për fëmijën e saj

Në një vend ku duhet të kurohemi, ndodh që të vuajmë edhe më shumë. Këto foto janë bërë në Spitalin Pediatrik.

Spitali nuk ofron as më minimalen: freski në temperatura që shkojnë mbi 36°C. Është turp. Është dështim. Është dhunë ndaj fëmijëve tanë dhe grave që rrinë nëpër spitale të tejmbushura, të nxehta dhe të paqëndrueshme.

Ku janë milionat për shëndetësinë? Ku janë investimet për përmirësimin e infrastrukturës spitalore? Nëse një prind detyrohet të mbajë një ventilator portativ në dorë, atëherë sistemi shëndetësor është realisht në koma. Ky nuk është thjesht një apel.

Është një alarm që duhet të zgjojë të gjithë ata që bëjnë politikë me shëndetin, që fotografohen me tapete të kuqe para spitaleve, e në vend të rregullojnë ndonjë punë, merren me fasadë e propagandë.

Lini një Përgjigje