TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2025, 21:23

Arrestimet te “Bankers Petroleum”, Klodiana Lala: Prokuroria të hetojë edhe njerëzit e politikës që firmosën nga viti 2004

Shkruar nga Pamfleti

Arrestimet te “Bankers Petroleum”, Klodiana Lala: Prokuroria të

Gazetarja Klodiana Lala ka folur lidhur me aksionin e Prokurorisë te “Bankers Petroleum”.

Prokuroria lëshoi 14 masa sigurie ndaj drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, të dyshuar për shmangie tatimore dhe vepra të tjera penale, për një periudhë aktiviteti 20-vjeçare në Shqipëri.

Lala, tha se kjo çështje duhet të ishte marrë në dorë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ndërsa theksoi se nuk mund të hetohen vetëm drejtuesit e kompanisë, por edhe njerëzit e politikës që kanë firmosur dhe mbështetur këtë kontratë që nga viti 2004.

“Edhe pse Prokuroria nuk ka specifikuar një shumë të saktë dëmi, rezulton nga hetimet paraprake se buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm në miliona euro. Por për një rast kaq të rëndë dhe me ndikim të madh ekonomik, do të ishte krejt normale që SPAK të merrte drejtimin e hetimit.

Kompania “Bankers Petroleum” dhe shteti shqiptar janë përballur edhe më herët në arbitrazh dhe për të kuptuar përmasat e vërteta të abuzimit me burimet natyrore, duhet transparencë e plotë dhe hetim i gjithanshëm.

Unë kam arritur të kem akses në disa faqe të vendimit të arbitrazhit, i cili është mbi 100 faqe.

Aty shfaqen shumë çështje që duhen hetuar më thellë, si është lidhur kontrata, si është mbajtur në këmbë për kaq vite dhe si kanë vepruar të gjitha qeveritë me këtë marrëveshje”, tha gazetarja për “TPZ”.

Klodiana Lala paralajmëroi se, përveç hetimeve aktuale, nëse faktohen shkelje serioze, mund të ketë edhe përballje të reja në arbitrazh ndërkombëtar.

“Nuk mund të veprohet me urdhër-arreste vetëm pas 20 vitesh aktivitet. Pse tani? Prokuroria duhet të përgjigjet. Dhe mbi të gjitha – nuk duhet të mbetet vetëm te drejtuesit e kompanisë. Duhet hetuar edhe politika”, përfundoi gazetarja.

Lini një Përgjigje