TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Korrik 2024, 18:32

PS nis show-n para zgjedhjeve me komisionin "Xhafaj", pas 11 vitesh në pushtet angazhohet të pastrojë veten nga korrupsioni

Shkruar nga Pamfleti

PS nis show-n para zgjedhjeve me komisionin "Xhafaj", pas 11 vitesh

Pas 11 vitesh në pushtet, pas hetimit dhe burgosjes së disa ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe milionave euro të vjedhura nga paratë publike, deputetët e mazhorancë deklaruan në komisionin “Xhafaj” se kishin vendosur të pastronin veten nga korrupsioni.

Partia Socialiste duket se ka nisur show-n e radhës, para zgjedhjeve parlamentare me komisionin e shumëpërfolur “Xhafaj”. Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion me pjesëmarrjen e vetëm deputetëve të mazhorancës, pasi opozita e ka bojkotuar këtë komision që në fillim.

Deputetët e PS-së, prezantuan projekt-idetë e tyre për komisionin “Xhafaj” dhe propozimet nuk dukeshin gjë tjetër veçse premtime të mirë menduara për t’u përdorur në fushatën e radhës. Pas 11 vitesh në pushtet, pas hetimit dhe burgosjes së disa ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe miliona eurove të vjedhura nga paratë publike, deputetët e mazhorancë deklaruan në komisionin “Xhafaj” se kishin vendosur të pastronin veten nga korrupsioni.

Teksa kanë marrë pushtetin me persona me të kaluar kriminale dhe madje disa prej tyre i kanë futur dhe në parlament në legjislaturat e kaluar, deputetët e mazhorancës deklaruan se ka ardhur koha që pastërtia e figurës të jetë kusht për të gjitha hallkat e shtetit.

Në një kohë ku po qeverisin vendin për tre mandate, dhe pritet që me shumë gjasa të marrin dhe një mandat të katërt, Braçe foli dhe për kufizim të qëndrimit të drejtuesve politikë në të gjithë nivelin politik të drejtimit të shtetit.

Gjithashtu, krejt papritur në komisionin e sotëm, rekomandimet e DASH-it dolën se nuk ishin thjeshtë “copy paste”, siç thotë kryeministri Rama. Madje deputetët e PS-së propozuan se ato rekomandime duhen marrë në konsideratë sidomos sa i takon prokurimeve publike, që sipas DASH janë gropa e zezë e kësaj qeverie.

Duke marrë të gjitha në konsideratë, gjithçka u propozua sot në komisionin “Xhafaj” duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Gjithmonë nëse marrim parasysh se kemi të bëjmë me të njëjtit njerëz që për 11 vite nuk ka marrë kurrë përgjegjësi, por thjeshtë e ka shitur atë si personale duke “fundosur” shokët dhe kolegët e tyre, që siç thotë kryeministri “kanë ngrënë dardha pas shpine”./Pamfleti

Pjesë nga propozimet e paraqitura prej deputetëve të mazhorancës në Komisionin “Xhafaj”:

ANTIKORRUPSIONI

Erio Braçe: Nga ky korrupsion impaktohet edhe demokracia edhe ekomonia e të ndërthurura bashkë e gjithë shoqëria, pikërisht për këtë arsye ne jemi fokusuar te këto shtylla dhe nuk e kemi nisur kot apo për shkak të hierarkisë vendimarrëse në korrupsionin politik. Sepse mendojmë që atje duhet adresuar problemi, te partitë politike dhe te trupat që krijohen nga zgjedhjet e  njerëzve. Trupat politike brenda partive, trupat politike që krijohen brenda institucioneve të rëndësishme kushtetuese të shtetit siç janë Kuvendi, Qeveria e duke zbritur më pas në nivel administrativ. Deri tani ka qenë fakultative në vullnetin e partive politike, tani duam ta bëjmë të detyrueshme kontrollin e figurës sepse duam që këto trupa t’i ruajmë fort qoftë kapjes në nivelin kombëtar qoftë kapjes në nivelin ndërkombëtar. Vihet në evidencë që ndërhyrjet e huaja synimin kryesor kanë kapjen e elitave politike. Thënë këtë i kemi kushtuar një vëmendje mjaft të rëndësishme pikërisht këtij fakti, kontrollit të figurës e në krahun tjetër pastaj edhe proceseve që burojnë nga këto trupa. Shembull është Kuvendi i cili duhet mbrojtur pa më të voglin diskutim në procesin ligjvënës nga klientelizmi, korrupsioni dhe kapja. Ashtu siç edhe në procesin e kontrollit parlamentar duhet ruajtur fort nga këto fenomene. Kemi një problem shumë të madh sa i përket kënetëzimit të nivelit politik të drejtimit të administratës. Që do të thotë kemi vendosje dhe qëndrim nëpër detyra politike në administratë që shkojnë përtej afateve logjike ose që përshtaten me afate që i shkojnë përshtat korruptimit të zyrtarëve. Çfarë kemi menduar në këtë pikë? Duam të nxisim përkohshmërinë e drejtuesve politikë në të gjithë nivelin politik të drejtimit të shtetit. Nuk mundet që një drejtues të shkojë 6-7-8 apo 9 vjet. Dhe imagjinoni, ai drejtues është i pazgjedhur, nuk i nënshtrohet kontrollit dhe gjykimit me votë, por thjesht një emërimi politik që vjen nga një tjetër zyrtar politik. Pikërisht për këtë arsye duam përkohshmëri të qënies së tyre në detyrë, në funksionin politik që mbajnë. Këtu kam parasysh që të përfshijmë gjithçka, edhe ata që merren me korrupsionin e vogël e që buron nga një pushtet politik që shpesh kthehet në abuziv edhe ata që merren me korrupsionin e madh në këtë aspekt. E para kontrolli i figurës së këtyre zyrtarëve. Nëse deri më tani kontrolli i figurës së zyrtarëve e kemi pasur në nivelin e deputetëve, të zgjedhurve, kryetarëve të bashkive, duam ta shtrijmë kontrollin e figurës edhe në këtë aspekt. Dhe së dyti ndalesa për secilin prej tyre, që në ato pika në ato ndërthurje që deri më tani kanë sjellë klientelizmin e konfliktin e interesave si elementë kyç të evidentuar në raste të dyshuara si korrupsion, në raste të hetuara si korrupsion dhe në raste të gjykuara kohët e fundit si korrupsion. Çfarë dua të them. Që zyrtari politik që ka në dorë vendimarrjen, patjetër që duhet të ketë ndalime para marrjes së detyrës dhe pas marrjes së detyrës, me qëllim që të mirat që ai zotëron përmes vendimarrjes së tij të mos derivojnë aty ku ka qenë aksioner, atje ku ka qenë drejtues apo të mos derivojnë aty ku nesër do të jetë aksioner apo nesër do të jetë drejtues Nuk ka gjë më të tmerrshme për një vend sesa korruptimi i instrumentave të antikorrupsionit. Nëse bien dhe ato mund të pranojmë gjerësisht që jo vetëm nuk ka betejë kundër korrupsionit, por më keq akoma as në të ardhmen nuk mund të ketë betejë kundër korrupsionit. Çlirimin e instrumentave të korrupsionit dhe një imunitet që duhet t’u japim këtyre institucioneve për t’u mbrojtur edhe ato vetë nga korrupsioni. Korrupsioni nuk është vetëm problem i një partie politike apo një qeverie apo një opozite. Duhet të jetë problem shoqëror. Nëse nuk ngrihet në nivel shoqëror, nëse nuk bëhet palë shoqëria në luftën kundër korrupsionit, do të jetë shumë e vështirë që thjesht organet e drejtësisë, thjesht një qeveri me segmente te saj ekzekutive apo edhe thjesht një parlament më vete me funksionet e veta kontrolluese dhe legjislative nuk mund ta përballojnë këtë betejë. Lufta kundër korrupsionit si shtyllë e dytë, është një fushë shumë e rëndësishme dhe besoj më sensitivja, pasi pavarësisht masave dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme, që janë bërë nga qeveria për të luftuar korrupsionin, jemi të vetëdijshëm dhe kemi njëkohësisht pjekurinë politike për të pranuar që kemi ende shumë për të bërë si dhe vullnetin dhe angazhimin për të adresuar dhe luftuar korrupsionin”, tha deputetja Etilda Gjonaj teksa dha më tepër detaje për 5 komponentët e identifikuar bashkë me kolegun Braçe dhe stafin e Kuvendit që punojnë në shtyllën Antikorrupsion pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar.

MIREQEVERISJA

Milva Ekonomi: Qëllimi i përgjithshëm do të jetë që përafrimi drejt Acquis të jetë një proces i monitoruar, duke zbatuar si vlerësimin e ndikimit rregullator, por edhe gjithëpërfshirjen e grupeve të interesit. Administrata publike duhet të jetë e aftë të ndjekë ndryshimet që vijnë si rezultat i zbatimit të direktivave, ndaj duhet të përpiqemi për të krijuar klasën e ekspertëve sipas fushave teknike. Kuvendi duhet të rrisë rolin mbikëqyrës kundrejt insitucioneve të pavarura duke pasur në vëmendje qeverisjen dhe qytetarët, por edhe performanën e monitoruar të qeverisë.

Evis Kushi: Sfida jonë për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve digjitale dhe garantimin e tyre është sfidë globale, ku Shqipëria nuk duhet të jetë e vetme por pjesë e rrjeteve, zhvillimeve të teknologjisë, kërkimeve shkencore, etj. Prandaj për vizionin tonë 2030 duhet të hartojmë një strategji më të qartë si të çojmë përpara investimet me më shumë efektivitet dhe qëndrueshmëri, si ta orientojmë kërkimin dhe inovacionin në këtë drejtim, si të shfrytëzojmë në maksimum potencialin e inteligjencës artificiale, si të rrisim kapacitetet e administratës publike etj.

Eduard Shalsi: Është e nevojshme që edhe shërbimet mbështetëse, teknologjia e informacionit të jenë në lartësinë e duhur. Doja ta riktheksoja edhe njëherë se nuk i përgjigjemi dot këtyre sfidave nëse nuk japim shembullin e një procesi përmirësimi brenda vetes tonë. Kemi nisur procesin e reformimit, ristrukturimit të rolit të mbështetjes nga brenda Kuvendit. Do duhet të provojmë që kapacitetet, burimet njerëzore, struktura e parlamentit, bëjnë të mundur që roli ynë është ai që përcakton Kushtetua dhe presin njerëzit.

SUNDIMI I LIGJIT

Klotilda Bushka Ferhati: Tre komponentët për t’u analizuar janë: Funksioni ligjvënës, monitorues dhe koordinues i Kuvendit të Shqipërisë; Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; Konsolidimi i Reformës në Drejtësi, me fokus tek pavarësia dhe paanësia e sistemit, llogaridhënia, cilësia e drejtësisë, efiçenca në drejtësi, aksesi në shërbimet e sistemit të drejtësisë, mirëqeverisja dhe transparenca. Për këtë komponent të fundit, analiza sipas metodologjisë së komisionit të posaçëm duhet të kryhet së bashku me përfaqësuesit e vetë institucioneve të drejtësisë për fushën e përgjegjësisë që mbulojnë respektivisht.  Konsultimi me misionet e asistencës ndërkombëtare që monitorojnë, ndihmojnë dhe mbështesin sistemin tonë të drejtësisë, është i domosdoshëm për këtë komponent.

Toni Gogu: Komisioni do të forcojë një sërë mekanzimash të mbrojtjes së të drejtave themelore si të e drejta e pronës, ku mirëfunksionimi dhe modernizimi i ASHK duhet të avancojë ndjeshëm regjistrimin e parë të pasurive të paluajtshme; forcimin e vendimmarrjes së Autoritetit të së Drejtës së Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale; forcimin e institucioneve të pavarura dhe hartimi i një programi kombëtar të edukimit ligjor, sidomos në nivelin parashkollor dhe parauniversitar.

Lini një Përgjigje