TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Janar 2026, 18:13

Protesta e PD, rrugët që bllokohen nga mesnata e sotme; Policia paralajmëron tensione, thirrje qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e PD, rrugët që bllokohen nga mesnata e sotme; Policia
Policia

Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike

Partia Demokratike organizon pasditen e së shtunën një protestë para Kryeministrisë, ndërsa Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave.

Kështu, disa nga segmentet rrugore do të bllokohen nga mesnata e sotme deri në përfundimin e protestës. Në të tjera segmente, bllokimi do të nisë prej orës 15:00 të së shtunës dhe do të zgjasë deri në përfundimin e protestës.

“Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë.

Por ajo që tërheq vëmendjen në njoftimin e Policisë janë se paralajmërohen tensione dhe në këtë kuadër, ajo i drejton një apel qytetarëve që të distancohen nga akte që cënojnë sigurinë publike.

Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Kreu demokrat, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat, paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama që të qëndrojë në zyrë dhe të presë qytetarët që do marshojnë drejt Kryeministrisë. 

"Do t’i japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën, qytetarët do ti japin leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë ta provojë. Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë", deklaroi Berisha.

Njoftimi zyrtar nga Policia

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e nesërme, i cili nis në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.

Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme dhe të nesërme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.



policia protesta masa

Lini një Përgjigje