Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, ka zbuluar bisedën e fundit me gazetarin dhe publicistin Nebil Çika, i cili mëngjesin e kësaj të enjte mbylli sytë përgjithmonë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Bejko bën me dije se me Çikën kishte biseduar mbrëmjen e djeshme rreth orës 17:55, ku dhe kishin zhvilluar një bisedë të shkurtër.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ai si të gjithë të tjerët mori vesh lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta në mënyrë të papritur të gazetarit të njhohur.
“Sot unë humba mikun dhe bashkëpuntorin tim të çmuar, aktivistin dhe publicistin e talentuar, antikomunistin dhe demokratin e vendosur, Nebil Çika.
Familja, humbi njeriun e saj të dashur, shoqëria, mikun e vet të mirë, ish të përndjekurit politikë të diktaturës, avokatin e zjarrtë të kauzës së tyre, publicistika shqiptare, humbi një nga penat më të spikatura të saj këto 30 vitet e fundit”, shkruan Bejko.
Nebil Çika u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare. Ishin familjarët e të ndjerit ata të cilët bënë me dije lajmin, ndërkohë nuk dhanë më tepër detaje lidhur me shkakun e vdekjes së tij.
Postimi i plotë i Roland Bejkos:
“E mërkurë.
Ora 17 55
-Fole?-Më pyet Nebili në Whatsapp.
Ora 17 57
– Fola, e lamë të takohemi prapë nesër, i thash.
Ora 18 16
-Ok,- më përgjigjet Nebili.
Stop!
Ky është komunikimi i fundit në këtë jetë me Nebil Çikën.
E enjte
Sa hap sytë në mëngjes, kap celularin dhe lexoj lajmin e familjarëve të tij, se qysh prej disa orëve më parë, Nebili, nuk është më në këtë jetë.
Kaq është jeta!
Shaka e madhe?
Të dashur miq.
Sot unë humba mikun dhe bashkëpuntorin tim të çmuar, aktivistin dhe publicistin e talentuar, antikomunistin dhe demokratin e vendosur, Nebil Çika. Familja, humbi njeriun e saj të dashur, shoqëria, mikun e vet të mirë, ish të përndjekurit politikë të diktaturës, avokatin e zjarrtë të kauzës së tyre, publicistika shqiptare, humbi një nga penat më të spikatura të saj këto 30 vitet e fundit.
Shumë plane, ëndra, synime, projekte librash, përmbushje kauzash të keqpërdorura mbetën në mes me humbjen e Nebilit.
Prehu në paqe vëlla!
Ngushëllime familjes, djemve dhe bashkëshortes për humbjen e tyre të madhe!
I përjetshëm kujtimi i Nebilit, këtij luftëtari të pa epur të çështjeve të mëdha të këtij vendi.
Lini një Përgjigje