TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Prill 2025, 09:27

Politika shqiptare uron besimtarët katolikë dhe ortodoksë: Gëzuar Pashkët!

Shkruar nga Pamfleti

Politika shqiptare uron besimtarët katolikë dhe ortodoksë:

Politika shqiptare ka uruar besimtarët e krishterë dhe ato ortodoksë që festojnë sot Pashkët.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjete sociale foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë, ndërsa ka shkruar: Për shumë vjet Pashkët.

Një ditë më parë, edhe presidenti Bajram Begaj përcolli një mesazh urimi.

“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë! Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat. Drita dhe mirësia e kësaj feste ndriçofshin jetën e çdo besimtari të krishterë ortodoks, katolik e ungjillor shqiptar, dhe sjellshin paqe e bekime në familjet tuaja!

Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemer dhe që kanë nevojë! Gëzuar me këtë shportë të përgatitur me shumë dashuri nga disa zonja të besimit ortodoks, në respekt të traditës sonë të festimit”, shkroi Begaj në urimin e tij.

Edhe kryetari i PD, Sali Berisha u ka uruar besimtarëve të krishterë festën e Pashkës. Në një mesazh në rrjetet sociale, Berisha ndër të tjera shkruan se Pashka është ditë e shpresës së pashuar, e frymëzimit të njeriut nga vlerat hyjnore dhe njerëzore dhe në një të ardhme më e mirë.

“Gëzuar Pashkët! Të dashur miq, sonte besimtarët e krishterë shqiptarë dhe të mbarë botës festojnë Pashkën, ringjalljen e Krishtit Mbret. Pashka, dita e ngjalljes së Hyjit është per çdo njeri, për të gjithë besimtarët ditë e pavdeksisë, e besimit të madh tek Zoti, te mirësia dhe gjithëfuqia e tij. Vetishëm Pashka është ditë e shpresës së pashuar, e frymëzimit të njeriut nga vlerat hyjnore dhe njerëzore dhe në një të ardhme më e mirë.

Ajo i ka gjetur kësaj rradhe Shqipërinë, besimtarët e krishterë shqiptarë dhe miqtë e tyre të besimeve tjera para një zgjedhje historike me datën 11 maj. Duke ju uruar të gjithë besimtarëve të krishterë këtë ditë të shenjtë, ju ftoj të dashur miq t’i lutemi Zotit që të bekojë shqiptarët në Shqipëri, diasporë dhe kudo që janë dhe votën e tyre për ndarjen nga pushteti i të keqes që po boshatis Shqipërinë, dhe ngjalljen e shpresës dhe të ardhmes për shqiptarët.  Uroj nga zemra që Pashkën tjetër më mirë ta festojmë! Gëzuar!”, shkruan Berisha.

Kreu i PL, Ilir Meta uroi gjithashtu nga qelia, duke thënë se Pashka nuk është vetëm një festë, por dëshmi e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të së mirës mbi të keqen.

“KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL! Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve të krishterë ortodoksë, katolikë, ungjillorë dhe mbarë popullit shqiptar! Nga zemra uroj për sa më shumë mbarësi, paqe, dashuri, begati dhe lumturi në çdo familje shqiptare! Bibla na mëson se: “Sikurse Krishti u ngjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në një jetë të re.”

Ndaj dhe Pashka nuk është vetëm festë. Por dëshmia e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës mbi të keqen. Uroj që edhe kjo Pashkë të sjellë për të gjithë ngjallje të vërtetë të shpresës në zemrat tona për një të nesërme më të mirë, që me besimin në Zot patjetër do të vijë! Mot më mirë! GËZUAR PASHKËN”, shkruan Meta.

Një mesazh ka ardhur edhe nga drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, i cili shkruan se festa e Pashkëve janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit.

“Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë të krishterë, në këtë kremtim të shenjtë të Ringjalljes së Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra: Për shumë vjet Pashkët! Kjo festë e bekuar na kujton se pas çdo sakrifice vjen drita, dhe pas çdo vështirësie lind shpresa. Pashkët janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit.

Le të frymëzohemi nga forca e besimit dhe të kemi shpresë se ndryshimi është i mundur – për veten, për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Drita e shpresës dhe e kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”, shkruan Basha.

Kreu “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori uroi gjithashtu besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.

“Gëzuar Pashkët, ngadhënjimin e të resë, shpresës dhe drejtësisë”, shkruan Qori në një postim në Facebook.

Këtë vit, besimtarët katolikë dhe ortodoksë festojnë Pashkët në të njëjtën ditë. Pashkët konsiderohen si festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, simbol i fitores mbi vdekjen, rilindjes dhe shpresës. Megjithatë, jo gjithmonë festohet në të njëjtën datë nga të gjithë të krishterët. Arsyeja qëndron tek kalendarët e ndryshëm që përdorin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse.

Katolikët ndjekin kalendarin Gregorian, të vendosur në vitin 1582 nga Papa Gregori XIII për të korrigjuar pasaktësitë e kalendarit Julian. Kisha Ortodokse vijon të përdorë kalendarin Julian, i cili është 13 ditë prapa atij Gregorian.

Megjithëse të dy traditat mbështeten në të njëjtin parim për llogaritjen e datës së Pashkëve,  të dielën pas Hënës së plotë që vjen pas ekuinoksit të pranverës, dallimet në kalendarë dhe në mënyrën e përcaktimit të Hënës kishtare bëjnë që datat të mos përputhen. Në vitin 2025, megjithatë, përputhja astronomike dhe kalendarike ka ndodhur natyrshëm: ekuinoksi i pranverës bie më 20 mars, Hëna e plotë pas tij më 13 prill, dhe e diela që pason është 20 prilli – një datë që përkon në të dy sistemet e llogaritjes.

Lini një Përgjigje