
Në një reagim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, gazetari investigativ Artan Hoxha ka goditur ashpër sistemin e privilegjeve që u ofrohen funksionarëve të lartë shtetërorë, ndërkohë që forcat e rendit, sipas tij, janë të nënvlerësuara, të pambrojtura dhe të papaguara në përputhje me rrezikun që përballen çdo ditë.
“Të gjithë kërkojnë të mbrohen me policë dhe eskortë policie, prokurorët, gjyqtarët, ministrat, pushtetarët… Policë për të tërë”, shkruan Hoxha, duke vënë në qendër të kritikës dy standardet që po aplikohen pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
Gazetari sjell në vëmendje një fakt tronditës: “Policia e Shtetit është e vetmja strukturë e këtij shteti që ka 422 Dëshmorë të Atdheut, të vrarë në krye të detyrës gjatë 35 viteve të postkomunizmit”.
Ndërkohë që prokurorët, siç thekson ai, nuk kanë asnjë të vrarë në detyrë, dhe rasti i Astrit Kalasë është i pari për gjyqtarët. Megjithatë, kërkesat për masa sigurie speciale, eskortë, roje të armatosura dhe mbrojtje personale janë përqafuar menjëherë nga drejtësia dhe politika.
Hoxha krahasoi gjithashtu pagat, duke theksuar se një magjistrat merr aq sa të gjithë policët e një komisariati në zonat më të vogla të vendit.
Artan Hoxha: Të gjithë kërkojnë të mbrohen me policë dhe eskortë policie, prokurorët, gjyqtarët, ministrat, pushtetarët… Policë për të tërë… Në fakt, Policia e Shtetit është e vetmja strukturë e këtij shteti, që ka 422 “Dëshmorë të Atdheut”, të vrarë në krye të detyrës gjatë 35 viteve të postkomunizmit.
Mes prokurorëve, nuk ka asnjë të vrarë në krye të detyrës. Mes gjyqtarëve, për fat të keq, u vra në krye të detyrës, gjyqtari i parë… Në fakt kur e mendon, rroga mujore e një magjistrati, kushton sa rroga mujore e gjithë policëve të komisariatit të Ersekës apo Skraparit.
Një polic i nivelit bazë, paguhet vetëm 600 euro në muaj dhe me këtë rrogë, ata nuk ruajnë dot as veten, jo më të jenë të motivuar për të ruajtur rrogë-mëdhenjtë e këtij shteti…. Edhe tallavaja më e humbur në kryeqytet, i paguan rojet e saj, më mirë se Policia e Shtetit… Policët e shtetit kanë detyrë primare të ruajnë jetën dhe pronën e popullit, jo pushtetarët nga populli i tyre….
Ne fakt kjo eshte e verteta! Me vjen mire qe degjoje nje ze vertetesie kaq hapur dhe pa frike! Rrumpalla e atij qe shpiku rrumpallen eshte e frikshme.