TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Tetor 2023, 11:09

Pjesë e grupit kriminal të ‘baronit’ të drogës, Apeli i GJKKO lë në burg ish-shefin e komisariatit të Laçit

Shkruar nga Pamfleti
Pjesë e grupit kriminal të ‘baronit’ të drogës,
Dritan Metaj dhe Gëzim Çela

Dritan Metaj, ish-shefi i komisariatit të Laçit, i arrestuar në kuadër të operacionit “Flakë në det”, do të vijojë të qëndrojë me masë sigurie arrest në burg.

Apeli i GJKKO ka lënë në burg Dritan Metaj, ish-shefi i komisariatit Laç, pasi ky i fundit kishte ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 30.10.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 52 akti, datë 26.10.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga i hetuari/ankuesi D.M., ndaj vendimit nr. 111, datë 10.10.2023 (në lëndë të masave të sigurimit) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 111 akti datë 10.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar."-thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Metaj u arrestua si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Gëzim Çela, i njohur ndryshe dhe si ‘baroni’ i drogën në zonën e Fushë Kuqes.

Metaj dyshohet se ka lëvizur me makinën e policisë, të ashtuquajturin “baron i drogës”, dhe anëtarë të tjerë të grupit. Burime policore bëjnë me dije se Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminal, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata.

Veprimtaria kriminale është arritur të dokumentohet me prova të pakundërshtueshme nga SPAK, përmes një numri të lartë të celularëve të sekuestruar në operacionin "Flakë në Det" të organizuar në muajin gusht, mes të cilit janë gjetur biseda të shumta të Metajt me Gëzim Çelajn dhe 2 të tjerët të shpallur në kërkim.

Megjithatë, me urdhër të SPAK, janë kryer përgjime të tjera të cilat kanë dhënë prova mbështetëse për dokumentimin e veprimtarisë kriminale.

Policia e Shtetit zbarkoi mbrëmjen e 9 tetorit 2023  në Fushë Kuqe për ekzekutimin e 4 urdhër-arresteve të SPAK dhe përveç arrestimit të kreut të komisariatit Kurbin dhe  shpalljes në kërkim të Gëzim Çelajt, u shpallën në kërkim edhe Arben Dalipaj, nga Vlora dhe Roland Guza nga Durrësi, të cilët dyshohet se janë larguar më herët jashtë vendit. Operacioni është një vijim i atij “Flakë në Det” më 15 gusht 2023.

dritan metaj

Lini një Përgjigje