TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Janar 2026, 09:48

Përmirësim pas përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, si paraqitet situata në Dajç dhe Obot

Shkruar nga Pamfleti

Përmirësim pas përmbytjeve në qarkun e Shkodrës, si

Pas reshjeve intensive të shiut që përfshinë vendin gjatë javës së kaluar, situata në pjesën më të madhe të territorit ka shënuar përmirësim, pas dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Prefektura e Shkodrës ka bërë një përditësim mbi gjendjen në qark. Në zonën e Dajçit, në bashkinë Shkodër, niveli i ujit ka rënë, ndërsa edhe në aksin rrugor të Obotit vërehet tërheqje e ujit, megjithëse ende ka prezencë prej rreth 20 deri në 30 centimetra.

Lëvizja e banorëve në zonat e prekura vazhdon të kryhet me mjete me kalueshmëri të lartë, të mbështetura nga pesë efektivë të Forcave të Armatosura.

Në bashkitë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz, autoritetet raportojnë se situata mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Ndërkohë, qarkullimi në akset Qafë Mali–Fierzë dhe K/Hadroj–Q/Bënë zhvillohet me goma dimërore ose zinxhirë, për shkak të pranisë së dëborës.

"Në territorin e Bashkisë Shkodër, në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prezencë uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme. Transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

Kontraktorët e Mirëmbajtjes Rrugore

Qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.

Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.", thuhet në njoftim.

Lini një Përgjigje