Eksperti i Sigurisë, Gert Metani ka bërë një analizë se cilat mund të jenë hipotezat e arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit.
Metani tha se hipoteza më e besueshme është ajo që anëtarët e bandës së tij mund ta kenë ndihmuar në arratisje, me qëllim që të mos e lejonin të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Ai ngriti gjithashtu edhe “alarmin” se Ndoci, pasi është ndihmuar të arratiset, edhe mund të jetë eliminuar.
'Ajo mund të ndodhte edhe në komisariat. Pra dikush që ka pak sens arratisjeje i arratiset policisë. Pa i rënduar punonjësit e burgjeve, unë dua ta shikoj në 3 hipoteza. E para, bazuar në deklarata e babait të personit, që ishte i rënduar, nuk kishte akuza. Pra e para është që ai ka menduar një arratisje, ka parë boshllëqet që janë të shumta dhe u arratis. Hipoteza e dytë është se ka menduar arratisjen, mund të ketë blerë persona të sigurisë për të dalë në atë mënyrë, pra në mes është edhe korrupsioni. E treta që mendoj mund të jetë më e vërtetë, duke qenë se bashkëpunëtorë të këtij personi janë liruar fare, nuk i leverdis grupit kriminal që një person që e kanë paguar në shumë ngjarje të rrijë aty, pasi mund të bëhet i penduar.', tha ai në “Quo Vadis” .
Pas arratisjes së Altin Ndoci nga Spitali Rajonal Durrës, ditën e djeshme (13 janar ), Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë masa administrative dhe ligjore, duke pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës dhe duke ndaluar disa punonjës të Policisë së Burgjeve.
Lini një Përgjigje